Një magazinë e përshtatur si laborator për kultivimin e kanabisit është zbuluar nga policia në fshatin Gjormë të Kurbinit.
Gjatë aksionit të koduar “Gjormë 2021”, u arrestua 24-vjeçari Vranicki Hisku dhe u shpall në kërkim 41-vjeçari Etmond Stojani.
Sipas policisë, të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
I shpalluri në kërkim Etmond Stojani ka qenë zyrtar vendor. Stojani ka pasur detyrën e drejtuesit të Kadastrës së Kurbinit.
Në këtë magazinë u sekuestruan 205 bimë kanabis të kultivuara në vazo. Gjithashtu, gjatë kontrollit në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
U sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e kanabisit. Ndërsa në banesën e të arrestuarit u gjet një pushkë me dylbi të montuar.
Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Kurbinit, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.