Aktualitet Zbulohet motivi pse u prish miqësia Bajri-Tafili: Behari mori 20 mijë euro...

Zbulohet motivi pse u prish miqësia Bajri-Tafili: Behari mori 20 mijë euro borxh një pikë lloto, tentativa për vrasje që në burg

BEHAR BAJRI, ADMIR DHE GENC TAFILI

20 mijë euro “të humbura” kanë prishur marrëdhëniet mes Genc Tafilit dhe Behar Bajrit. Të dy, personazhe shumë të njohur të botës së krimit, kishin gjetur një gjuhë të përbashkët kur ishin takuar në burgun e Lezhës në vitin 2013. Nuk njiheshin, por Behar Bajri kërkoi ndihmën e Tafilit për të hapur një pikë bastesh në Shkodër, të cilën do ta menaxhonte nga burgu, ndërsa për detajet do të kujdeseshin njerëzit që kishte lënë jashtë.

Fillimisht Bajri kishte folur me Admir Tafilajn, më pas ky i fundit e kishte deleguar tek i vëllai, Genci. Në dosjen hetimore “Metamorfoza” të siguruar nga gazetari Elton Qyno për “Ora News” thuhet se veç Admir Tafilaj, ndërmjetës për këtë takim ishte bërë dhe Dorian Duli, i cili nga mesazhet e aplikacionit “Sky ECC” doli se ishte një personazh që kërkohej të eliminohej nga Behar Bajri.

Por pa arritur tek hakmarrja, rikthehemi tek takimi. Tafilaj, pasi kishte folur me të vëllanë dhe me Dorian Dulin kishte pranuar ta takonte Behar Bajrin, duke i premtuar se do ta ndihmonte në hapjen e një pike bastesh. Por me kalimin e kohës njerëzit e Behar Bajrit, ishin zhytur 20 mijë euro borxh. Këtë shumë pas pak kohësh, Tafili ia kërkoi Beharit me të cilin kishte bërë “pazarin”, por ky i fundit e shmangte. Kështu nisi përplasja mes tyre…për 20 mijë euro!

Të dy palët edhe pse qëndronin në të njëjtin burg, nuk kishin kontakt me njëri-tjetrin, pasi disa herë kishin tentuar që të përplaseshin edhe fizikisht. Madje sipas Genci Tafilajt, Behari kishte hapur fjalë në burg se ishte gati të paguante shuma parash për ta therur me thikë atë që tashmë ishte kthyer në kundërshtarin e tij. Zërat në burg i kishte dëgjuar edhe drejtori i burgut, i cili vendosi transferimin e tyre. Më shumë detaje dha vetë Tafili kur u mor në pyetje më 9 prill 2024 lidhur me dosjen “Metamorfoza”.

“…dua të them se unë këtë person Behar Brajoviq alias Bajri nuk e kam njohur kur kam qenë i lirë. Por kam rënë në kontakt me të nëpërmjet vëllait tim Admir Tafilaj kur Behari është arrestuar dhe e kam takuar në ambientet e burgut të Lezhës. Mbaj mend që ka qenë viti 2012-2013 dhe për shkak të njohjes që më kishte krijuar vëllai im Admiri me Beharin, unë kam kontaktuar me këtë person, i cili më ka kërkuar një favor me qëllim që ta ndihmoj që të hapte një pikë lojrash fati në qytetin e Shkodrës… Ndërmjetës për hapjen e kësaj pike lojrash fati ka qenë edhe shoku im, Dorian Duli. Gjatë qëndrimit në burg mua nuk më pëlqente shumë sjellja e Behar Brajoviq për shkak se ishte ngatresaxhi me mua dhe me persona të tjerë. I kam kërkuar edhe vëllai tim Admirit, që mos ta afronte më këtë person… Për negociatat e marrjes së shumës 20 000 euro është futur edhe shoku im Dorian Duli. Madje Behari ishte treguar fodull karshi meje kur Admiri dhe unë i kërkuam që të kthente paratë. Për këtë arsye unë kam dashur të konfliktohem fizikisht me të në burg, por nuk e kam bërë. Kishte dalë llafi që doja të konfliktohesha dhe na kanë transferuar të dyve në burgje të tjerë. Mbaj mend që ai kishte nxjerrë fjalë nëpër burg që paguante shumë parash për të më therur mua. Mbaj mend që Behari ka ndërhyrë më njohjet e tij që të mos më realizohej dalja nga burgu me kusht dhe më kanë transferuar disa herë në burgje të ndryshme për shkakun e tij…Dyshoj që këto sulme të Beharit në drejtimin tim kanë ardhur për shkak se unë e kam sulmuar në ambjentet e burgut siç shpjegova dhe më lart dhe ai duke e mbajtur veten si person të rëndësishëm kërkonte të hakmerrej…”.

Nga kjo hakmarrje, vetëm për faktin se ishte ndërmjetës, nga Behar Bajri u shënjestrua edhe Dorian Duli. Për këtë të fundit, Tafilaj ka treguar se është lidhje shoqërore me Dorian Dulin, me të cilin jam njohur në vitin 2001 në burg dhe kanë krijuar miqësinë e tyre duke e ruajtur ende dhe sot.

“…për shkak të miqësisë time me Dorian Dulin, kam mësuar edhe për faktin që Behari kërkonte të dëmtonte edhe Dorian Dulin vetëm sepse ishte lidhje e imja…”, thotë Tafilaj.