Arkeologët në Egjipt kanë zbuluar atë që mund të jetë fabrika më e vjetër e njohur e birrës në botë, që daton rreth 5000 vjet më parë.
Një ekip i përbashkët egjiptiano-amerikan zbuloi fabrikën e birrës në Abydos, një vendvarrim antik në shkretëtirë.
Ata gjetën një numër njësish që përmbajnë rreth 40 tenxhere të përdorura për të ngrohur një përzierje gruri dhe uji për të bërë birrën.
Fabrika e birrës ka të ngjarë të datojë që nga epoka e mbretit Narmer, sipas Këshillit Suprem të Antikiteteve, i cili beson se kjo është fabrika e birrës më e vjetër në botë.
Mbreti Narmer sundoi më shumë se 5000 vjet më parë. Ai themeloi Dinastinë e Parë dhe konsiderohet të ketë bashkuar Egjiptin.
Fabrika e birrës përbëhej nga tetë zona të mëdha, secila 20 metra e gjatë dhe secila përmbante rreth 40 tenxhere prej argjile, tha sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit, Mostafa Waziry.
Fabrika e birrës mund të jetë ndërtuar në këtë vend posaçërisht për të furnizuar ritualet mbretërore që ndodhnin brenda ambienteve të varrimit të mbretërve të Egjiptit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së turizmit egjiptian, që citon arkeologun dhe bashkëkryesuesin e misionit Matthew Adams të Universitetit të Nju-Jorkut
Birra mendohet të jetë prodhuar në një shkallë të gjerë, me rreth 22 400 litra të bëra në të njëjtën kohë.
“Provat për përdorimin e birrës në ritet e flijimit u gjetën gjatë gërmimeve në këto ambiente”, thuhet në deklaratë.
Abydos është një nga qytetet më të vjetra të Egjiptit të lashtë dhe në të ndodhen varreza të mëdha dhe tempuj. Kjo zonë është në provincën jugore të Sohag, në Egjiptin e Epërm, një nga vendet më të njohura turistike të vendit.
Në fillim të këtij muaji, një mision që punonte pranë Aleksandrisë zbuloi disa mumie nga rreth 2000 vjet më parë me gjuhë të artë brenda gojëve të tyre.