Në një fshat të largët të Turqisë, studiuesit kanë zbuluar atë që besohet të jetë përralla më e vjetër në botë, plot 10 mijë vjeçare. Në muret e një shpelle janë gjetur të gdhendura disa figura, që të marra së bashku rrëfejnë historinë e dy burrave që sulmohen nga kafshë të egra dhe mbrohen prej tyre.
Zbulimi u bë nga arkeologët e Universitetit të Stambollit në fshatin Sayburç. Gdhendjet u gjetën në rrënojat e një godine të periudhës së Neolitit, që ndodhej poshtë fshatit të kohëve të sotme.
Sipas tyre, kjo është jo vetëm gravura më e hershme në histori e gjetur deri më sot, por tregon marrëdhëniet e ndërlikuara mes njerëzve, natyrës dhe kafshëve në atë epokë të njerëzimit. Arkeologia Dr. Eylem Özdoğan, nga Universiteti i Stambollit, tha përmes një deklarate për mediat se këto figura tregojnë një histori të mirëfilltë dhe janë të lidhura me njëra-tjetrën. “Përmes këtyre gdhendjeve, njerëzit e asaj periudhe formonin idetë e tyre”, tha ajo.
Punimet në këtë vend vijojnë prej vitit 2021 dhe për të zbuluar sekretet e periudhës së Neolitit është dashur të hiqen shtresa të tëra balte. Gërmimet nxorën në dritë faktin se njerëzit kanë banuar aty që prej mijëvjeçarit të nëntë para erës së re.
“Kjo periudhë ka qenë e rëndësishme pasi gjatë saj, sjellja njerëzore ndryshoi, nga të qenit gjuetarë në grup dhe gjithmonë në lëvizje, në fermerë që vendoseshin në një vend të caktuar për një kohë të gjatë”, thanë studiuesit.
Muri ku tregohet historia e dy burrave u gjet brenda asaj që konsiderohet banesë e kohës, me një diametër 12 metra. “Të gjitha figurat shohin drejt njëra-tjetrës, ndërsa ajo e burrit sheh nga dhoma dhe mban në dorë organin gjenital”, thuhet në studimin e publikuar në revistën “Antiquity”.
“Ndërsa burri tjetër është i kthyer me kurriz dhe mban në dorën me gjashtë gishta një gjarpër. Gojët e leopardëve janë të hapura dhe duket se janë gati për sulm. Gjithashtu aty shfaqet edhe një dem me brirë të stërmëdha, siç janë zmadhuar dhëmbët e leopardëve”.
“Dëshmitë arkeologjike mund të na tregojnë disa nga traditat e shoqërive të së kaluarës, por këto rrallë herë i mbijetojnë kohës, kështu që ky zbulim është vërtet emocionues”, tha Dr Özdoğan. “Sayburç sjell dëshmi shumë të qarta të kësaj periudhe dhe mund të mësojmë shumë më tepër për Neolitin”.