Koka e një statuje mermeri të Aleksandrit të Madh e zbuluar në Turqi, tregon popullaritetin e qëndrueshëm të sundimtarit të lashtë qindra vjet pas vdekjes së tij.
Objekti u gjet mes rrënojave të niveleve të sipërme të një teatri të epokës romake në Konuralp, në veri të Duzce, pranë bregut veriperëndimor të Turqisë, dhe mendohet se daton në shekullin e dytë.
Aleksandri i Madh vdiq në vitin 323 para Krishtit, kështu që statuja mund të jetë bërë më shumë se 400 vjet pas vdekjes së tij.
Mbetjet e statujave të tjera prej mermeri, duke përfshirë kokat e perëndisë greke Apollo dhe përbindëshi mitik Medusa, janë gjetur gjithashtu në rrënojat e teatrit, tha komuna e Duzce në një deklaratë.
“Aleksandri ishte një figurë popullore në botën e lashtë shumë kohë para vdekjes së tij të parakohshme në moshën 32-vjeçare në Babiloni, buzë lumit Eufrat”, tha historiani Paul Cartledge, profesor në Universitetin e Kembrixhit dhe autor i “Aleksandri i Madh: Gjuetia për një të kaluar të re”, për Live Science.
Një arsye për popullaritetin e qëndrueshëm të Aleksandrit ishte se pasardhësit e tij e promovuan si një sundimtar ideal, të cilin ata shpresonin ta imitonin.
“Konkurrentët për fronin e tij dhe për rrjedhojë perandorinë e tij, përdorën emrin e tij dhe thanë “ai ishte i frikshëm”, tha Cartledge, i cili nuk ishte i përfshirë në zbulimin e ri.
U bë gjithashtu e zakonshme për sundimtarët e mëvonshëm të prodhonin monedha që përmbanin imazhin e Aleksandrit si një mënyrë për të legjitimuar mbretërimin e tyre.