Gjatë inspektimeve në Parkun Arkeologjik të Amantias, punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë identifikuan praninë e një skulpture antike në akropolin antik, e cila ishte e ekspozuar pjesërisht në sipërfaqe.
Në zbatim të Vendimit të Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, u krye gërmimi arkeologjik për zbulimin e skulpturës, si dhe transporti i saj pranë ambienteve të DRTK Vlorë, për të siguruar mbrojtjen e skulpturës e cila ishte e ekspozuar ndaj faktorëve natyrorë si dhe dëmtimeve të mundshme nga aktet vandale.
Edhe pse skulptura antike nuk ruhej e plotë, nga ajo ruheshin një pjesë e konsiderueshme e elementeve.
Specialistët e DRTK Vlorë, realizuan ndërhyrjet e para për pastrimin e saj me teknika profesionale. Tashmë po përgatitet kartela e objektit për regjistrimin pranë Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.