Një fragment i fshehur që daton rreth 1.3 miliardë vite më parë, po ndihmon shkencëtarët të gjurmojnë historinë misterioze të “kontinentit të humbur” të njohur si Zelandia.
Gjeologia e njohur, Rose Tunbull e bazuar në Zelandën e Re po kryen studime në një laborator në Universitetin e Kalifornisë, duke kërkuar për kristale zirkoni në kampione rëre të imët, me shpresën se kjo do ta ndihmojë të shpalosë sekretet e kontinentit të 8-të mjaft misterioz, të njohur si Zealnadia apo me emrin që i kanë dhënë atij fiset Māori, Te Riu-a- Māui.
Kristalet janë marrë nga shkëmbinj që ndodhen pranë ishujve të Zelandës së Re, dhe ato përfaqësojnë pjesët e vetme të mbetura nga Zelandia, një sipërfaqe rreth 5 milionë kilometra katrorë që ngre kokën mbi oqean.
Ajo që i shtangu të gjithë ishte fshehur nën pjesën lindore të jugut të Zelandës së Re dhe Ishujve Stjuart: një masiv toke disa miliardë-vjeçar që i përket këtij superkontinenti të zhytur nën oqean.
“Kontinentet ngjasojnë me ajsbergët,” thotë autori dhe gjeologu strukturor Keith Klepei. –“Ajo që shohim në sipërfaqe nuk është asnjëherë shtrirja reale e këtyre gjigandëve natyrorë.”
Sidoqoftë shkencëtarët kanë qenë duke ndjekur gjurmët e Zelandias për dekada me radhë, ama ata pranojnë se u duhet më tepër punë për të sjellë në dritë pamjen përfundimtare dhe origjinale të kontinentit.
Ata premtojnë se konkluzionet e këtij studimi do të na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë ‘vallëzimin’ e kontinenteve tona, si dhe valsin e tyre magjepsës rreth e rrotull planetit Tokë – herë herë duke u bashkuar dhe formuar superkontinente, e të tjera herë duke u shkëputur dhunshëm nga njëri-tjetri.