Një grup astronomësh australianë ka identifikuar 4 mijë vite dritë larg nga Toka, në Rrugën e Qumështit, një objekt rrotullues që nuk i ngjan asgjëje të njohur deri më tani: tri herë në çdo orë (për të qenë të saktë çdo 18 minuta e 10 sekonda) çliron një shpërthim të madh të radio-energjisë që zgjat për një minutë të plotë. Në këto momente, objekti bëhet një nga burimet më të ndritura në galaktikën tonë.
Objekte të ngjashme pulsuese janë dokumentuar disa herë në Univers, por asnjë nuk ka qenë në gjendje të emetojë një frekuencë konstante në një kohëzgjatje kaq të gjatë.
Objekte që lëshojnë energji në Univers janë dokumentuar disa herë, por në asnjë rast nuk ka ndodhur që një objekt të lëshojë energji për një kohë kaq të gjatë.
Ekipi i shkencëtarëve tha se po kryen studime të mëtejme për të kuptuar se pse ka ndodhur kjo.
Objekti fillimisht u zbulua nga studenti i Universitetit Curtin, Tyrone O’Doherty. Ai kishte përdorur një teleskop dhe një teknikë të re, që e ka zhvilluar vetë, kur zbuloi këtë objekt.
O’Doherty ishte pjesë e ekipit të udhëhequr nga astrofizikantja Natasha Hurley-Walker nga Universiteti Curtin dhe nga Qendra Kombëtare për Kërkime të Radio Astronomisë (ICRAR).
“Gjatë vëzhgimeve tona disa orëshe (objekti) u zhduk dhe u shfaq disa herë”, tha ajo.
“Kjo ishte krejtësisht e papritur. Ishte pak e frikshme për një astronom sepse e deri më tani nuk kemi ditur se ka diçka në qiell që e bën këtë gjë dhe që sillet në këtë mënyrë”.
Objektet që ndizen dhe fiken në Univers nuk janë gjë e re për astronomët. Ata përdorin termin “transients” për këto objekte.
Por, lirimi i energjisë për një minutë të plotë nga objekti i zbuluar ishte diçka “e çuditshme”, tha astrofizikantja, Gemma Anderson.
Ekipi ka arritur të vlerësojë se objekti gjendet rreth 4,000 vjet dritë larg nga Toka. Ky objekt, sipas shkencëtarëve, ishte jashtëzakonisht i shndritshëm dhe kishte një fushë magnetike jashtëzakonisht të fuqishme.
Ka një sërë teorish se çfarë mund të jetë ky objekt, duke filluar se ai mund të jetë një yll neutroni ose një “xhuxh i bardhë” – term që i referohet mbetjeve të një ylli që ka kolapsuar. Megjithatë, ky zbulim ende është i mbështjellë me shumë mistere.
“Studimet e mëtejshme do të na tregojnë nëse kjo ishte një ngjarje e rrallë apo diçka e re që nuk e kemi vërejtur kurrë më parë”, tha Dr.Hurley-Walker.