Sylvinho i ka rinovuar kontratën me FSHF-në deri në dhjetor të vitit 2025 dhe do të jetë në krye të ekipit në edicionin e radhës të Ligës së Kombeve, si edhe në kualifikueset e Botërorit 2026. Ky i fundit është një tabu për ekipin përfaqësues dhe detyrimisht mbetet objektivi kryesor.
Pas kualifikimit në Europian, padyshim që marrja pjesë në një turne kaq madhor sa Botërori do të ishte një arritje e madhe e të gjithëve, stafit teknik, lojtarëve, federatës dhe kujtdo që kontribuon në realizimin e një arritjeje të tillë.
Rinovimi i trajnerit Sylvinho dhe stafit të tij, i përbërë nga Dorival dhe Zabaleta u shoqërua edhe me rritje të pagës.
Nëse kontrata e mëparshme kishte vlerë 1,1 milionë euro, nga ku 750 mijë euro i përfitonte trajneri dhe pjesa tjetër ndahej për asistentët, tani shifra është më e lart.
Vlera e përgjithshme e kontratës së re është rreth 1,5 milionë euro. Nga kjo shifër, 1 milionë euro do ti përfitojë trajneri Sylvinho dhe 500 mijë euro do të ndahen mes Dorival dhe Zabaletës.
Ashtu si në kontratën e mëparshme, stafi do të përfitojë bonus të konsiderueshëm nëse arrihet objektivi i kualifikimit në Botërorin 2026.