Në vitin 2014, në papafingon e një shtëpie në Tuluzë të Francës ishte zbuluar një pikturë e mbuluar nga pluhuri dhe e dëmtuar nga lagështira, që dukej sikur e kishte një vlerë.
Piktura u mor nga një ekspert, Marc Labarbe, i cili e pastroi atë, i dërgoi një foto një njohësi të artit dhe më pas…thjesht priti.
Pesë vite më vonë, piktura qëndron e varur në një galeri të Londrës. Bëhej fjalë për një pikturë të humbur të Caravaggios, që më në fund kishte dalë në dritë. Bëhet fjalë për ‘Judith dhe Holofernes’, që besohet se është realizuar në vitin 1607.
Lajmi i zbulimit u dha në një konferencë për shtyp të enjten dhe piktura do të dalë në një ankand më 27 qershor, në Tuluzë, ku pritet të kapë një vlerë prej jo më pak se 150 milionë eurosh.
Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një pikturë të dhunshme, por Caravaggio është i famshëm për domethënien e kamufluar nën ngjyra. Sipas tyre, piktura ka një histori të komplikuar. Ajo është krijuar pasi Caravaggio u largua nga Roma, i akuzuar për vrasje, dhe reflekton ndryshimin e dallueshëm në stilin e artistit gjatë kohës që ai ishte në azil, në Napoli.
Caravaggio u bë atje më i errët, më i zymtë dhe më ekstrem. Janë 4 dokumente që provojnë ekzistencën e pikturës, dy letra të vitit 1607 drejtuar Dukës së Mantovës, ku përshkruhet puna; një testament i vitit 1617 i një tregtari arti; si dhe një inventar i një prone në Antëerp, në vitin 1619.
Pas këtij viti nuk dihet më asgjë për pikturën, deri në momentin e rishfaqjes së saj në Tuluzë.