Dy punonjës policie janë vënë në pranga pas hetimeve për zjarrin e shkaktuar në Komisariatin e Kamzës mbrëmjen e së shtunës, ku 1 person humbi jetën dhe 2 të tjerë u plagosën.
Të arrestuarit janë inspektorët Fatmir Isufi 64 vjeç dhe Hajredin Boja 64 vjeç, të dy oficerë sigurie në dhomat e paraburgimit të personave të ndaluar/arrestuar. Boja është punonjësi i policisë që mbeti edhe vetë i lënduar nga flakët e zjarrit. Ata u vunë në pranga pas verifikimeve nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe mosdhënie e ndihmës.
Tre policë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për të njëjtat vepra penale; Inspektor L.M., 64 vjeç, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë për personat e ndaluar/arrestuar, inspektor M.M., 52 vjeç, me detyrë Nd/specialist Informacioni dhe Komisar Y.Ç., 44 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.5.
Nga verifikimet e deritanishme të AMP, ka rezultuar se punonjësit e policisë së këtij komisariati kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga personat e ndaluar, Arben Mici që humbi jetën dhe Dilaver Idrizi, të cilët kanë shkaktuar zjarrin në këto ambiente.
Nga zjarri i rënë brenda Komisariatit Nr.5 në Kamëz, si pasojë e asfiksisë ndërroi jetë në spital Arben Mici 26 vjeç i arrestuar si i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”. Ndërsa mbetën të plagosur Dilaver Idrizi i arrestuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë dhe polici Hajredin Boja.