Një ‘shtëpi bari’ është zbuluar në Shijak.
Policia bën me dije se në kuadër të megaoperacionit të koduar “Krahët e Krimit” brenda shtëpisë katërkatëshe në Shijak, janë gjetur dhe sekuestruar 444 bimë narkotike kanabis dhe 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Mësohet se bimët narkotike po kultivoheshin në katin e tretë dhe të katërt të banesës, kate të cilat ishin përshtatur për kultivimin e lëndës narkotike.
Si rezultat, në një ambient me mur të dyfishtë, në këtë banesë, është gjetur i fshehur një arsenal armësh, i përbërë nga 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Blutë bëjë me dije se u arrestua në flagrancë shtetasi F. K., 46 vjeç, banues në Sallmone, Shijak, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi S. K., 43 vjeç, shtetas me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtes pa leje. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.
“Nga hetimet e kryera deri tani, si dhe bazuar në inteligjencën informative, dyshohet se armët e gjetura në këtë ambient (banesë), mund të jenë fshehur nga pjesëtarë të grupeve kriminale.”- njofton policia.
Po ashtu dyshohet se edhe kultivimi i bimëve narkotike mund të jetë financuar nga pjesëtarë të grupeve kriminale.