Një skemë mashtrimi me TVSH në Durrës ka çuar në pranga 5 persona.
Dëmi financiar në këtë skemë mashtrimi përllogaritet në një vlerë prej 6 milionë euro.
Bëhet fjalë për një skemë mashtrimi që konsiston në krijimin e 5 subjekteve private thuajse fantazmë me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale.
Është sekuestruar një shoqëri e quajtur “Alfa Nikel”, një hidrocentral i vogël në Dhërmi me sipërfaqe 700 m2, si dhe një apartament me sipërfaqe 215 m² në zonën Lungomares në Vlorë.
Të arrestuar:
E. Xh., 38 vjeç, R. M., 30 vjeç, R. A., 39 vjeç, A. A., 45 vjeç dhe B. C., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Pasuri të sekuestruara
Një shoqëri e quajtur “Alfa Nikel”;
Një hidrocentral, së bashku me sipërfaqen e truallit 700m², ku ishte ndërtuar, në Dhërmi;
Një apartament me sipërfaqe 215 m².
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej shtetasve të arrestuar, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kasë fiskale, e cila dyshohet se është përdorur për prodhimin e faturave fiktive.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar shoqëri fiktive, me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohë që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera të padeklaruara në organet tatimore. Produktet janë blerë pa dokumente tatimore dhe punimet janë kryer nga punonjës të paregjistruar dhe të padeklaruar në organet tatimore. Nga ky aktivitet kriminal i skemave mashtruese me TVSH-të, shtetasit e sipërpërmendur, nëpërmjet subjekteve fiktive, nga mospagimi i detyrimeve tatimore në shuma të mëdha, kanë shkaktuar dëm ekonomik që kap vlerën e rreth 6 milionë euro”, tha Policia.