Kulturë Zbulohet strukturë antike e panjohur pranë piramidave të Gizës

Zbulohet strukturë antike e panjohur pranë piramidave të Gizës

Një strukturë e panjohur më parë është zbuluar në një “zonë boshe” të kompleksit të piramidave të Gizës.

Duke përdorur teknologjinë depërtuese në tokë, një ekip i përbashkët kërkimor nga Universiteti Ndërkombëtar Higashi Nippon, Universiteti Tohoku dhe Instituti Kombëtar i Kërkimeve të Astronomisë dhe Gjeofizikës i Egjiptit gjetën një “anomali” të lashtë të fshehur nën rërën e Varrezave të Fushës Perëndimore të Gizës.

E vendosur në perëndim të Piramidës së Madhe të Gizës, Varreza e Fushës Perëndimore është një vend i rëndësishëm varrimi për mbretërit e lashtë dhe oficerët e rangut të lartë. Arkeologët kanë qenë prej kohësh kuriozë për një të ashtuquajtur “zonë boshe” në mes të varrezave që rrethohet nga mastaba, një lloj varri me strukturë drejtkëndore me çati të sheshtë që shënon një vend varrimi nëntokësor.

Gërmimet e mëparshme në këtë zonë nuk kanë dhënë rezultat. Megjithatë, një artikull i botuar së fundmi për një gërmim të kryer në vitet 2021-2023 zbuloi një diçka të panjohur më parë.

“Ne kryem një eksplorim të përbashkët gjeofizik, duke përdorur [radarin depërtues në tokë] (GPR) dhe tomografinë e rezistencës elektrike (ERT) në Varrezat Perëndimore…. Ne besojmë se kemi gjetur një anomali: një kombinim i një strukture të cekët të lidhur me një strukturë më të thellë”.

“Anomalia” është një strukturë e cekët në formë L e lidhur me një strukturë më të thellë. Struktura në formë L ka përmasat 10 metra me 10 metra dhe është në një thellësi prej rreth 2 metrash. Imazhet e marra nga GPR zbuloi se ajo ishte mbushur me rërë pas ndërtimit dhe mund të ketë shërbyer si hyrje në strukturën më të thellë. Nën strukturën e cekët u zbulua një “anomali shumë rezistente elektrike” rreth 5 deri në 10 metra nën tokë.

“Ky material mund të përbëhet nga rërë, zhavorr dhe boshllëqe ajri. Studiuesit janë gjithashtu të pasigurt për qëllimin e këtyre strukturave. “Ne konkludojmë nga këto rezultate se struktura që shkakton anomalitë mund të jetë mure vertikale prej guri gëlqeror ose boshte që çojnë në një strukturë varri”, shpjegoi ekipi. “Megjithatë, do të kërkohet një studim më i detajuar për të konfirmuar këtë mundësi.”

Kompleksi piramidal i Gizës është ndër vendet arkeologjike më të famshme dhe magjepsëse në botë. Vendi antik ndodhet në skajin e shkretëtirës perëndimore në qytetin e Gizës, jo shumë larg brigjeve të lumit Nil dhe qendrës së qytetit të Kajros, kryeqyteti egjiptian. Kompleksi përfshin Piramidën e Madhe, Piramidën e Khafre, dhe Piramidën e Menkaure, si dhe Sfinksin e Madh. Monumentet antike u ndërtuan të gjitha midis viteve 2600 dhe 2500 p.e.s. gjatë Dinastisë së Katërt të Mbretërisë së Vjetër të Egjiptit të Lashtë.

Gërmimet zyrtare të Piramidës së Madhe të Gizës dhe rrethinave të saj filluan në shekullin XIX.

Në fillim të shekullit XX, pasi tre piramidat më të mëdha u eksploruan tërësisht, arkeologët e kthyen vëmendjen drejt popullatës së dendur të varreve private në Fushën Perëndimore të Gizës. Që atëherë, Fusha Perëndimore është ndarë në zona më të vogla dhe secila mban numrat e mastabave.