Ndryshe nga Drejtorët e tjerë të Policisë së Shtetit që urdhrat e parë kanë qenë për ndryshimin e drejtuesve të policisë dhe shpalljen e luftës ndaj krimit, Gledis Nano ka shfaqur një tjetër anë, atë të vlerësimit të punës së efektivëve të policisë.
Vendimi i parë në krye të Policisë së Shtetit i Gledis Nanos është t’u paguajë detyrimin e prapambetur financiar të gjithë efektivëve të policisë në të gjithë vendin, për orët shtesë që kanë mbetur pa paguar përgjatë viteve.
Mësohet se Nano u ka dhënë urdhër 12 drejtorive të qarqeve të llogarisin të gjithë detyrimin financiar që Drejtoria e Policisë u ka punonjësve të saj duke mos u paguar për orët jashtë orarit zyrtar.
Të njëjtat burime thanë se këto para do të paguhen nga fondet e policisë, por edhe nga paratë e konfiskuara nga krimi. Deri tani vetëm 4 drejtori të qarqeve kanë dorëzuar listën e punonjësve të tyre në Financën Qendrore të Policisë, ndërsa të tjerat janë ende në proces të përpilimit të listave.
Sipas të njëjtave burime synimi është që këto para të paguhen brenda vitit 2021. Nano mori zyrtarisht detyrën si Drejtori i Përgjithshëm, pas largimit të Ardi Veliut.