Samiti i shumëpritur mes Joe Biden dhe Vladimir Putin mund të mbahet më 15 qershor. Lajmin e bën të ditur e përditshmja ruse “Kommersant”, që citon burime konfidenciale.
Data e takimit përputhet me turin evropian të Joe Biden dhe është me leverdi edhe për agjendën e kreut të Kremlinit. Për vendin nuk dihet ende asgjë me siguri, por zëvendës ministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov ka deklaruar se do të mbahet në një kryeqytet diplomatik evropian.
Sipas burimeve të “Kommersant”, gjasat janë që takimi të mbahet në Zvicër, me shumë siguri në Gjenevë. Megjithatë, numri dy i diplomacisë ruse ka theksuar se Moska nuk ka iluzione se nga takimi marrëdhëniet SHBA-Rusi do t’i rikthehen normalitetit.