Bota Zbulohet vendi sekret ku jetonte bosi i Cosa Nostras. Do të mbrohet...

Zbulohet vendi sekret ku jetonte bosi i Cosa Nostras. Do të mbrohet nga mbesa

Karabinierët e Ros dhe Prokuroria e Palermos i kontrolluan banesën e bosit të Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro, i cili u arrestua mëngjesin e së hënës pas 30 vitesh në arrati.

Ai jetonte prej 6 muajsh në një apartament në Campobello di Mazara. Banesa rezulton në emrin e Andrea Bonafede, topografi që i kishte dhënë identitetin e tij kumbarit. Sipas asaj që shkruan ANSA, në këtë apartament hetuesit nuk kanë gjetur dokumente që mund t’i shërbejnë. Ata dyshojnë se mund të ketë një banesë të dytë ku mund të gjendet i ashtuquajturi thesari i Messina Denaro. Vetë Andrea Bonafede duket se po flet për hetuesit. Ai mësohet të jetë shprehur se e njeh kreun e mafias qëkur ishin të rinj dhe se ishte ofruar për të blerë, me paratë e kumbarit, shtëpinë ku ka jetuar përgjatë vitit të fundit. Topografi është nën hetim për lidhje me mafian.

Kimioterapi në burg, Messina Denaro në Aquila

Matteo Messina Denaro ndodhet në regjimin 41bis, në një prej qelive teke në superburgun e Aquila-s, La Costarelle. Bosi mafioz është i qetë, shkruan ANSA. Qelia, rreth 10 metra katror, ndodhet në një prej seksioneve të burgut në të cilin ndodhet edhe terroristja Nadia Desdemona Lioce. Messina Denaro do të nisë përgjatë orëve të ardhshme, brenda burgut, kimioterapinë në një dhome ad hoc.

“Gjendja e tij është e rëndë, sëmundja ka përparuar përgjatë muajve të fundit”, tha për Repubblica online Vittorio Gebbia, përgjegjës për Onkologjinë mjekësore në klinikën La Maddalena, ku u arrestua bosi i Cosa Nostra-s. Mjeku e vizitoi bosin, alias Andrea Bonafede, në Janar të 2021 përpara një vlerësimi multidisiplinar kirurgjikal. Më pas ai nisi kimioterapinë dhe më 4 maj të 2021 u operuar për metastazat në mëlçi, nga një ekip kirurgësh. Gebbia thotë se prognoza e keqe u prit me shumë dinjitet nga pacienti, që ishte i ndërgjegjshëm për gjendjen e tij shëndetësore dhe nuk kishte asnjë lloj sjellje që mund të dyshoje për identitetin e tij të vërtetë.

Campobello

Një qytet me 11,000 banorë në provincën e Trapanit, Campobello është vetëm 8 kilometra nga Castelvetrano, qyteti i origjinës së Messina Denaro dhe familjes së tij. Identifikimi i vendit ku jetonte dhe kontrollet e tij, janë faza themelore në rindërtimin e arratisjes së bosit të mafias. Dhe jo vetëm. Disa të penduar kanë treguar se kumbari ishte personi që kujdesej për thesarin e Totò Riina-s, dokumente top sekrete që bosi korleonez i mbante në vendin e tij të fshehtë përpara arrestimit, por që u zhdukën sepse shtëpia, ndryshe nga tani, nuk u kontrollua.

Mjeku nën hetim

Alfonso Tumbarello, 70 vjeç, mjeku që ndiqte Andrea Bonafede-n, alias Matteo Messina Denaro, është vënë nën hetim. Tumbarello është nga Campobello di Mazara dhe ishte mjek i përgjithshëm në qytet për dekada, deri dhjetorin e shkuar kur doli në pension. Tumbarello deri pak muaj më parë ishte mjeku i Andrea Bonafede-s së vërtetë, me banim në Campobello di Mazara dhe kishte dhënë receta mjekësore në emër të pacientit.

Bosi do të mbrohet nga mbesa

Kreu i mafias së Castelvetrano, Matteo Messina Denaro, ka caktuar si avokate mbesën e tij, Lorenza Guttadauro. Ajo është vajza e motrës së bosit, Rosalia. Matteo Messina Denaro pritet që të dalë para gjykatës më 19 janar, kur do të zhvillohet një seancë dëgjimore për masakrat mafioze të 92-shit, të Capaci dhe Via D’Amelio.