Ka marrë fund misteri i vendndodhjes së mbetjeve të ish-kryeministrit të Japonisë militariste, Hideki Tojo, ekzekutuar me varje në vitin 1948 nga amerikanët si kriminel lufte.
Profesori japonez i universitetit të Nihon, Hiroaki Takazawa, ka zbuluar në arkivat amerikane, dokumente të deklasifikuara që zbulojnë se çfarë ndodhi me mbetjet e Tojos, i cilësua si arkitekti i sulmit mbi Peral Harbor.
Dokumentet tregojnë se hiri i trupit të kremua të Tojos, së bashku me 6 persona të tjerë u hodhën në oqeanin Paqësor nga një aeroplanmbajtëse rreth 50 km në lindje të Yokohamas, qyteti i dytë më i madh i Japonisë.
Sipas profesorit në fjalë, misioni u mbajt në sekret maksimal nga pala amerikane që nuk donte që Tojo të venerohej dhe glorifikohej nga ultranacionalistët japonezë, trashëgimtarët politikë të të cilëve kanë dinamizmin e tyre edhe sot në krahun konservator në Japoni.
Tojo konsiderohet një figurë e ndërlikuar e historisë japoneze. Në Perëndim ai akuzohet se zgjati luftën dhe se vendimet e tij ishin një ndër arsyet e hedhjes së dy bombave atomike nga amerikanët.
Ai tentoi vetëvrasjen një muaj pasi ish-perandori Hirohito njoftoi dorëzimin e Japonisë, ndërkohë që forca ushtarake kishin shkuar ta arrestonin. Tojo banonte në një shtëpi modeste në Tokio.