Shumë nga ata që fluturojnë shpesh me aeroplan ëndërrojnë që një ditë të kenë mundësinë të udhëtojnë në Business Class, ose pse jo edhe në Klasin e Parë, e rezervuar për personazhe VIP dhe padyshim shumë të pasur.
Kolltukë më komode, ushqim më cilësor, ekran më të gjerë, janë këto disa nga atraksionet që një biletë e tillë të ofron për të kaluar sa më mirë orët e fluturimit, sigurisht kundrejt një fature të “kripur”.
Por pak dinë që ka edhe bileta më ekskluzive, që vetëm pak mund të shijojnë. Si përshembull bileta që mundëson ndenjen në një suitë të vërtetë, e quajtur The Residence, brenda një aeroplani Airbus A380.
Është praktikisht bileta më e shtrenjtë që mund të blihet, me një kosto që shkon deri në 68 mijë dollarë.
Falë një blogeri të njohur, Casey Neistat, që ka filmuar udhëtimin e tij nga Abu Dabi në New York në The Residence, tashmë dimë pothuajse të gjitha sekretet e saj.
Një sallon pritje i bollshëm për dy persona, ekran gjigand për të shijuar filmat dhe eventet e preferuara, frigorifer i mbushur me pijet më të shtrenjta. Por edhe një dhomë gjumi e mirëfilltë, e rregulluar personalisht nga një nga vajzat e stafit.
Në The Residence mund të kryesh edhe diçka pothuajse e pamundur në aeroplan e tjerë, një dush të ngrohtë, që të përgatit për drekën që ofron krijimet më të sofistikuara të kuzhinës botërore.
Orët e fluturimit kalojnë shumë shpejt, të lidhur me wi-fi dhe i rrethuar nga përkujdesja e personalizuar.
Vetë Naistat e pranon: “Kushton sa një makinë luksoze, por po patë mundësitë, është një eksperiencë e paharrueshme”.