Në rrugët plot lëvizje të Tiranës, ka një fjalë që “jehon” në ajër dhe shfaqet kudo nëpër ndërtesa: bar.
Fjala më e shpeshtë në emërtesa në Tiranë është fjala “bar”, tha Elsa Skënderi Rakipllari në “Opinion”, pedagoge në departamentin e gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.
Duke marrë parasysh që Shqipëria është një nga shtetet me numrin më të lartë të kafeneve në Europë në raport me popullsinë, fjala “bar” nuk ishte një surprizë.
Fjalë të tjera që janë po aq trend sa bar, janë: travel, shop, exchange, farmaci, servise, argjendari. Lista më pas vijon me studio dhe bankë.
Ajo solli edhe një detaj tjetër interesant. Gjuha shqipe zë 22.7% të emërtesave në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Anglishtja zë dyfishin e shqipes në këtë rrugë.
“Për atë që më kërkove dy të dhëna që mbase janë interesante. Peizazhi gjuhësor në rrugën “Myslym Shyri”. Gjuha shqipe zë 22.7% të emërtesave, ndërsa anglishtja zë 38.5%, domethënë dyfishi. Gjuhë të tjera kemi frëngjishten me 5.7%, spanjishten 1.2% pastaj janë përdorime emërtesa që shfaqen në kombinim. Fjalët më të shpeshta në peizazhin linguistik të Tiranës, të gjitha ato emërtesat është fjala, gjejeni? Bar”, tha Elsa Skënderi.