Në një përpjekje për të hequr përfundimisht duhanin, Zelanda e Re do të ndalojë shitjen e duhanit për brezat e ardhshëm.
Të gjithë të lindurit pas vitit 2008 nuk do të mund të blejnë cigare apo produkte duhani gjatë jetës së tyre, sipas një ligji që pritet të miratohet vitin e ardhshëm.
“Ne duam të sigurohemi që të rinjtë të mos fillojnë kurrë të pinë duhan”, tha ministrja e Shëndetësisë Ayesha Verall.
Lëvizja është pjesë e një reforme gjithëpërfshirëse kundër duhanpirjes të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë e Zelandës së Re.
Mjekët dhe ekspertët e tjerë të shëndetit në vend kanë përshëndetur reformat të cilat do të reduktojnë aksesin në duhan dhe do të kufizojnë nivelet e nikotinës në cigare.
“Kjo do t’i ndihmojë njerëzit të heqin dorë ose të kalojnë në produkte më pak të dëmshme dhe do t’i ulë gjasat që të rinjtë të varen nga nikotina“, tha Janet Hook nga Universiteti i Otagos.
Zelanda e Re është e vendosur të arrijë një objektiv kombëtar për të reduktuar shkallën kombëtare të pirjes së duhanit në 5% deri në vitin 2025, me synimin për ta eliminuar përfundimisht atë.
Aktualisht, rreth 13% e të rriturve në Zelandën e Re pinë duhan, nga 18% rreth një dekadë më parë. Por shkalla është shumë më e lartë, rreth 31% në mesin e popullsisë indigjene Maori, të cilët gjithashtu vuajnë një shkallë më të lartë të sëmundjeve dhe vdekjeve.
Ministria e Shëndetësisë e Zelandës së Re thotë se pirja e duhanit mbetet shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme për popullsinë e saj.
Si pjesë e reformës, qeveria kreu gjithashtu kontrolle të mëdha të duhanit, duke përfshirë kufizimin e ndjeshëm të vendeve ku mund të shiten cigaret për t’i hequr ato nga supermarketet dhe dyqanet.
“Numri i dyqaneve të autorizuara për të shitur cigare do të reduktohet në mënyrë drastike në nën 500 nga rreth 8000 që janë tani”, thonë zyrtarët.
Vitet e fundit, pirja e cigareve elektronike është bërë shumë popullore në mesin e të rinjve sesa cigaret.
Edhe pse në vitin 2017 vendi miratoi përdorimin e tyre për të ndihmuar duhanpirësit të lënë duhanin, autoritetet shëndetësore të Zelandës së Re thonë se cigaret elektronike nuk janë të padëmshme. Studiuesit kanë gjetur agjentë të rrezikshëm që shkaktojnë kancer edhe në lëngjet e cigareve elektronike.