Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka shtyrë zgjedhjet e përgjithshme për një muaj, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.
Procesi i votimit ishte planifikuar të zhvillohej më 19 Shtator, mirëpo tani do të mbahet më 17 Tetor.
Ardern ka thënë të hënën se data e re do t’iu lejojë partive “për të planifikuar rrethanat mbi të cilat do të zhvillohet fushata”.
Më herët gjatë kësaj jave, ky vend është përballur me rritjen më të madhe të të infektuarve me koronavirus, andaj u është kthyer masave të izolimit.
Si pasojë e një shpërthimi në Auklland javën e kaluar, aktualisht në Zelandën e Re është raportuar për 58 raste aktive me këtë virus.
Lajmi për rikthim të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi ka shokuar këtë shtet që nuk pati raportuar për asnjë rast lokal të infektimit për më shumë se tre muaj.
Aktualisht në Zelandën e Re ekzistojnë katër “nivele të alarmit”. Auklland aktualisht është në të tretin derisa pjesa tjetër e shtetit në të dytin.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Zelanda e Re, prej fillimit të pandemisë ka regjistruar 1,600 të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 22 persona kanë vdekur.