Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski i ka kërkuar Zvicrës që të marrë sanksione ndaj oligarkëve rusë, që sipas tij po ushqejnë luftën në vendin e tij ndërsa qëndrojnë në qytete të bukura zvicerane.
Përmes një fjalimi me audio për mijëra persona në protestën kundër luftës në Bern, Zelenski falënderoi Zvicrën për mbështetjen, por nga ana tjetër nuk i kurseu kritikat ndaj autoriteteve.
“Në bankat tuaja qëndrojnë paratë e njerëzve që nisën këtë luftë. Kjo është e dhimbshme. Kjo është edhe një luftë kundër së keqes, ndaj u janë ngrirë llogaritë. Kjo do të ishte gjithashtu një luftë, dhe ju mund ta bënit këtë”, tha presidenti i Ukrainës.
“Ukrainasit ndjejnë se çfarë do të thotë kur qytetet shkatërrohen. Ata po shkatërrohen me urdhër të njerëzve që jetojnë në Evropë, në qytete të bukura zvicerane, të cilët gëzojnë pronë në qytetet tuaja. Do të ishte vërtet mirë që t’ua hiqnit këtë privilegj”, shtoi Zelenski.
Zvicra, e cila nuk është pjesë e BE-së, ka ndjekur plotësisht linjën e vendeve anëtare në politikën kundër Rusisë, përfshirë urdhrat për t’u ngrirë llogaritë bankare oligarkëve rusë në bankat e saj.