Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama, të cilit i shprehu falenderimet për mbështetjen që Shqipëria ka treguar ndaj Ukrainës në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky shkruan se me Ramën bisedoi edhe për thellimin e bashkëpunimit mes Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit në fushën e mbrojtjes.
“Bisedova me kryeministrin Edi Rama për ta falenderuar për qëndrimin e vendosur të Shqipërisë ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjen për vendin tonë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe për mbështetjen politike dhe në fushën e mbrojtjes.
Përfaqësuesi shqiptar mori pjesë në takimin e katërt të Formula e Paqes në Davos. Detyra jonë është që të përgatitemi për Samitin Global të Paqes dhe mbështetemi në pjesëmarrjen aktive të partnerëve tanë, përfshirë edhe Shqipërinë.
Diskutuam gjithashtu për mënyrat që të thellojmë dialogun Ukrainë-Ballkan dhe të avancojmë bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes. Theksova rëndësinë e zgjerimit të programeve të trajnimit të ushtarëve ukrainas me pjesëmarrjen e Shqipërisë”.