Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky tha se eliminimi i luftëtarëve ukrainas në qytetin port jugor të Mariupolit do t’i japë fund bisedimeve me Rusinë, raporton BBC.
Duke iu referuar qytetit jashtë Kievit që është shkatërruar nga bombardimet, Zelensky i tha agjencisë ukrainase të lajmeve Pravda: “Mariupol mund të jetë si 10 Borodyanka. Dua të them se eliminimi i ushtrisë sonë, do t’i japë fund të gjitha negociatave”.
Ai tha se Ukraina nuk do të tregtojë as territorin dhe as njerëzit e saj, duke shtuar: “Sa më shumë vende si Borodyanka të ketë, aq më e vështirë do të jetë”.
Më herët, Ukraina këmbënguli se trupat e saj po qëndronin ende në rrënojat e Mariupolit, me gjithë presionet e Rusisë për t’u dorëzuar.
“Traktati i paqes me Rusinë duhet të përfshijë dy dokumente të ndryshme, një për garancinë e sigurisë për Ukrainën, tjetri për marrëdhëniet e saj me Federatën Ruse”, u shpreh presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky gjatë një interviste për disa media ukrainase, duke theksuar se Rusia në vend të kësaj do të dëshironte një dokument të vetëm.
Zelensky tha se disa vende si Britania e Madhe, SHBA, Italia dhe Turqia “po tregojnë vullnetin e tyre për të vepruar si garantues, por askush nuk ka dhënë ende një përgjigje përfundimtare”.