Pasi përmendi Martin Luther Kingun dhe 11 shtatorin në fjalimin e tij në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Volodymyr Zelensky përdori imazhin e “murit” në fjalimin e tij, drejtuar Bundestagut gjerman.
“Ka një mur në mes të Evropës dhe ai mur ndan lirinë nga mungesa e lirisë”, u shpreh ai në fjalimin drejtuar Bundestagut gjerman.
“Ju jeni ende të mbërthyer pas një muri”, tha Zelensky ndërsa bëri një krahasim të Luftës së Ftohtë, gjatë një fjalimi video para ligjvënësve në Bundestag.
”Por, ky muri i fundit është shumë më i lartë dhe po i pengon evropianët të shohin vuajtjet në Ukrainë”, theksoi ai.
Ai i kërkoi Berlinit të mbështesë ofertën e Ukrainës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
Zelensky gjithashtu kritikoi Berlinin për vonimin e anulimit të ”Nord Stream 2”, një tubacion i diskutueshëm i gazit natyror që dërgon gazin nga Rusia në Gjermani.
Ai tha se apelet e shumta ukrainase për të hequr dorë nga projekti në prag të pushtimit të Rusisë kishin marrë përgjigjen “ekonomi, ekonomi, ekonomi”.
Zelensky i kërkon Gjermanisë të marrë “rolin udhëheqës që meriton” dhe i bën thirrje kancelarit Olaf Scholz, të shembet “muri” kundër lirisë që po ngrihet nga Rusia në Evropë.
Presidenti ukrainas kritikoi mungesën e veprimeve të ndërmarra nga vendet e BE-së përpara pushtimit, duke u thënë deputetëve se sanksionet erdhën shumë vonë.