Presidenti i Ukrainës u lidh drejtpërdrejt me disa sheshe në qytete të ndryshme të Europës ku po mbaheshin protesta kundër ndërhyrjes ushtarake të Rusisë.
Gjatë mesazhit të tij përmes “Zoom”, presidenti ukrainas kërkoi mbështetjen e qytetarëve europianë në këto momente të vështira që Ukraina.
Zelensky ka falënderuar sërish komunitetin global për solidaritetin me Ukrainën, teksa vendi po përballet prej 9 ditësh me pushtimin rus.
Ai dedikoi minuta heshtjeje për të rënët dhe u bëri thirrje europianëve që të “dalin në rrugë” dhe të mbështesin Ukrainën.
“Përkrahni luftën tonë, sepse nëse Ukraina nuk do të qëndrojë, Europa nuk do të qëndrojë. Nëse ne do të biem, ju do të bini. Të gjithë ju sot jeni ukrainas”, tha ai.
Sakaq, Zelensky u dha një mesazh ukrainasve, duke thënë: “Sot, ne jemi të gjithë ushtarakë. Disa prej nesh janë ushtarakë, që i shërbejnë vendit tonë në ushtri. Të tjerët po shërbejnë si mjekë, të tjerë po punojnë për të mbrojtur fëmijët dhe familjet e tyre. Kjo është zemra jonë, zemra e Ukrainës, duke qëndruar së bashku kundër së keqes”.