Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje shteteve të Ballkanit Perëndimor që të qëndrojnë së bashku dhe të mos lejojnë destabilizimin nga Rusia.
Nga Tirana ku u mbajt Samiti Ukrainë-Europa Juglindore, Presidenti Zelensky gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ngriti alarmin se Rusia do të vazhdojë përpjekjet për të destabilizuar vende, duke përfshirë këtu edhe Ballkanin Perëndimor nëse gjen hapësira.
“Ne nuk u kushtojmë vëmendje provokimeve, provokimet vetëm përçajnë, samiti i sotëm ka të bëjë me bashkimin dhe mendoj se shtetet e Ballkanit duhet të jenë së bashku sot. Mendoj se Rusia do bëjë gjithçka që të destabilizojë. U jam shumë mirënjohës shteteve europiane, partnerëve që i kanë qëndruar Ukrainës. Rusia nuk do të ndalet. E kemi diskutuar edhe me Kryeministrin, Rusia del në përfundime për gabimet që ka bërë në territorin e Ukrainës dhe do destabilizojë më tej nëse do ketë mundësinë e këtyre pauzave dhe mundësinë që të mbijetojë politikisht në këtë agresion dhe do përdorë taktika të tjera, do përpiqet të ketë ndikim në ato vende të vogla, vendet Baltike, Moldavia, vendet e Ballkanit dhe kudo ku Bashkimi Sovjetik ka qenë i pranishëm”, u shpreh Zelenskyy.
Presidenti ukrainas vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj vendit të tij, por bëri thirrje për më shumë ndihma nga shtetet perëndimore në luftën e Ukrainës ndaj Rusisë.
“Dëshiroj t’ju falenderoj ju, popullin shqiptar për mbështetjen e sinqertë që na keni dhënë ne. Ju falenderojmë edhe për gjithë paketat që ju keni mbështetur. Natyrisht edhe faktin që ju keni kuptuar siç duhet që çdo komb ka nevojë të respektohet. Këto janë ato elementë që përkufizojnë siç duhet çdo gjë të mirë që mund të ofrojë një komb. Na duhet më shumë besim tek çfarë mund të bëjmë ne, ne duhet që ju të keni besim tek ne, te stabiliteti që ne do mund t’i ofrojmë Europës dhe vlerave të përbashkëta dhe integrimit të plotë tonit në BE. Mbështesim edhe integrimin e vendeve të BE, por duhet edhe ju të na mbështesni ne. Faleminderit për bashkëpunimin që ne kemi pasur sot. Ukraina si dhe i gjithë rajoni i Europës Juglindore duhet të vijojnë që të bashkëpunojmë, të ecim përpara, të na mbështesni edhe në Formulën tonë të Paqes, planin me 10 pika”.
Kjo është vizita e parë e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në Tiranë.
Pak ditë më parë, Ukraina shënoi dyvjetorin e agresionit ushtarak nga Rusia.