Bota Zelensky: Rusët mund ta marrin Kievin vetëm nëse e rrafshojnë

Zelensky: Rusët mund ta marrin Kievin vetëm nëse e rrafshojnë

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, ka deklaruar se rusët mund të marrin nën kontroll Kievin vetëm nëse e rrafshojnë si qytet.

Në konferencën për shtyp që mbajti sot në Kiev, Zelensky tha: “Rusët mund ta marrin Kievin vetëm nëse e rrafshojnë. Është një luftë e vështirë, që ka bashkuar vendin tonë. Nëse më pyesni si është situata në frontin e luftës, mund t’ju them se ka luftë kudo. Disa qytete të vogla thjesht nuk ekzistojnë më dhe kjo është një tragjedi. Janë zhdukur. Njerëzit po ashtu janë larguar. Kanë ikur përgjithmonë. Ndaj, jemi kudo në front lufte”.

Sa i përket negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit, Zelenksy u shpreh: “Diplomatët tanë po punojnë për detajet e agjendës për një tjetër takim të dy delegacioneve, ruse dhe ukrainase. Do doja që të takoheshin. Jo vetëm me fjalë, por të nisim realisht procesin e një marrëveshjeje paqeje dhe t’i japim fund kësaj lufte. Vetëm kështu nis fundi i një lufte në një botë të civilizuar”.

Ish-zyrtarja e NATO-s: Nuk ka gjasa që Rusia të ketë sukses në Kiev

Ish-zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, është skeptike se forcat ruse do të fitojnë shumë sukses në një sulm ndaj kryeqytetit të Ukrainës.

Një kolonë masive e forcave ruse të grumbulluar jashtë Kiveit besohet se është shpërndarë, në përgatitje për një avancim. Por Gottemoeller thotë se kjo mund të merret si një shenjë dobësie.

“Po pyes veten nëse ata kanë aftësinë për t’u rigrupuar në këtë pikë, sepse logjistika e tyre është në gjendje kaq të keqe, ata nuk kanë furnizimet me karburant që u nevojiten për një përparim në Kiev”, i tha ajo BBC-së.

Gottemoeller thotë gjithashtu se raportimet që luftëtarët nga Siria mund të rekrutohen për të luftuar përkrah Rusisë në Ukrainë, tregojnë qasjen barbare të Moskës ndaj këtij pushtimi.

Rusia thotë se ka 16,000 vullnetarë në Lindjen e Mesme të gatshëm për të luftuar dhe SHBA beson se këta mund të përfshijnë sirianë të aftë në luftime.

“Ata janë grupe ekstremiste, janë njerëz që kanë luftuar në Siri, janë disa nga ekstremistët më të dhunshëm që janë hasur në luftë,” thotë Gottemoeller.