Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia po përpiqet të shkatërrojë jetën e çdo europiani.
“Rusia kohët e fundit është përpjekur të rrisë edhe më shumë presionin energjetik mbi Evropën; transporti i gazit përmes Nord Stream është ndalur plotësisht”, tha presidenti i Ukrainës në fjalimin e tij të mbrëmjes së kaluar.
Qëllimi i Moskës, tha ai, është të dobësojë dhe frikësojë shtetet e Europës. “Përveç tankeve dhe raketave, Rusia po përdor edhe energjinë si armë dhe këtë dimër po përgatitet të japë një goditje vendimtare në sektorin e energjisë”, vazhdoi kreu i shtetit ukrainas.
Europianët duhet të koordinojnë më mirë kundërmasat e tyre dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin, tha ai, duke shtuar se presioni mbi Rusinë duhet të rritet për të kufizuar të ardhurat e saj nga nafta dhe gazi.