Bota Zelensky sqaron refuzimin e vizitës së presidentit gjerman

Zelensky sqaron refuzimin e vizitës së presidentit gjerman

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje Bashkimit Europian, siç tha ai, të “ndalojë sponsorizimin e makinës ushtarake ruse”.

“Para së gjithash, ne kemi nevojë për një embargo të naftës dhe një gatishmëri të qartë të Europës për të hequr dorë nga të gjitha burimet ruse të energjisë,” tha Zelensky në një video-mesazh të mërkurën vonë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se forcat ruse vazhdojnë të përqendrojnë aktivitetet e tyre në drejtimet lindore dhe jugore dhe po bëjnë përpjekje për të mobilizuar banorët e rajoneve separatiste lindore të Donetsk dhe Luhansk.

“Raportet e luftimeve të sotme nuk ndryshojnë ndjeshëm nga ato të mëparshme. Trupat ruse po shtojnë aktivitetet në lindje dhe jug. Ata po përpiqen të hakmerren për disfatat e tyre.

Vazhdojnë sulmet me raketa dhe artileri. Po sillen kolona të reja pajisjesh. Ata po kërkojnë rezerva. Ata po përpiqen të rekrutojnë banorët e jugut të vendit tonë, domethënë nga këto zona të pushtuara përkohësisht”, tha Zelensky.

Nga ana tjetër, Kievi nuk ka marrë një kërkesë “zyrtare” nga Berlini për një vizitë të presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili donte të shkonte në Ukrainë me krerët e tjerë të shteteve, tha dje presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“As unë si president dhe as zyra jonë nuk kemi marrë një kërkesë zyrtare nga presidenti gjerman apo zyra e presidentit gjerman në lidhje me atë vizitë në Ukrainë,” tha ai.

Ne jemi një vend i lirë,” tha Zelensky. “Ne mund të përballojmë … të jemi mes atyre që na mbështesin vërtet, të jemi midis miqve të vërtetë.”

Steinmeier tha të martën se ai synonte të udhëtonte në Ukrainë me presidentin polak dhe krerët e shteteve baltike, por se Kievi nuk e dëshironte këtë.

Në javët e fundit, presidenti gjerman është kritikuar për marrëdhëniet e tij me Rusinë dhe mungesën e vendosmërisë ndaj Moskës. Në fillim të prillit, ai pranoi se ai kishte bërë një gabim duke mbështetur gazsjellësin Nord Stream 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë. Social-Demokratët në pushtet ishin mbështetës të fortë të afrimit me Moskën. Por dhe Merkel.