Alan Crawford dhe Peter Martin
Duke u nisur nga disa takime të nivelit të lartë që kulmuan vizitën e presidentit Xi Jingping në Gjermani në vjeshtë, ky ishte menduar të ishte viti i diplomacisë Evropë-Kinë. Përkundrazi, evropianët po paralajmërojnë për një ndarje të dëmshme.
Diplomatët flasin rritjen e zemërimit mbi sjelljen e Kinës gjatë pandemisë së koronavirusit, përfshirë pretendimet për ngritje çmimesh nga furnizuesit kinezë të pajisjeve mjekësore dhe një verbëri për atë se si perceptohen veprimet e saj. Rezultati kryesor është se trajtimi i krizës nga Pekini ka dëmtuar besimin kur pati një shans për të demonstruar udhëheqjen globale.
“Gjatë këtyre muajve, Kina ka humbur Evropën“, tha Reinhard Buetikofer, një ligjvënës gjerman i Partisë së Gjelbër që kryeson delegacionin e Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Kinën. Ai përmendi shqetësime që kanë të bëjnë me “administrimin e së vërtetës” nga Kina në fazat e hershme të virusit në një qëndrim “jashtëzakonisht agresiv” nga Ministria e Punëve të Jashtme në Pekin dhe “propagandë e linjës së ashpër” që çimenton epërsinë e sundimit të Partisë Komuniste mbi demokracinë.
Në vend të çdo veprimi me përgjegjësi për shpërthimin e epidemisë, ai tha, “është përhapja e një qëndrimi të caktuar ajo që nuk e siguron vullnetin për të krijuar partneritete, por vullnet për t’u thënë njerëzve se çfarë të bëjnë.”
Ndërsa administrata “Trump” ka rifilluar sulmet e saj ndaj Kinës, zyrtarët evropianë tradicionalisht janë më pak të gatshëm për të dalë hapur si zëra kritikë, pjesërisht nga frika e kundërpërgjigjes. Fakti që politikanët në Berlin, Paris, Londër dhe Bruksel po shprehin shqetësim për narrativën e Pekinit lidhur me Covid-19 lë të kuptohet një zemërim më të thellë me pasoja të gjera. Tashmë disa anëtarë të Bashkimit Evropian po ndjekin politika që kanë si synim të reduktojnë varësinë e tyre nga Kina dhe të mbajnë nën kontroll investimet e mundshme grabitqare, masa mbrojtëse që rrezikojnë të dëmtojnë tregtinë Kinë-BE, e cila vlente gati 750 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Është një kthesë nga vetëm disa javë më parë, kur Kina doli nga epidemia për të ofruar seminare në internet për praktikat më të mira të marra nga trajtimi i virusit, i cili u shfaq atje për herë të parë. Ai gjithashtu dërgoi furnizime mjekësore duke përfshirë pajisjet mbrojtëse, pajisjet e testimit dhe ventilatorët për vendet më të goditura në Evropë dhe gjetkë, në një shfaqje të dhënies së ndihmës që bie në kundërshtim me mungesën e Amerikës në shkallë ndërkombëtare.
Pandemia ofroi një mundësi për solidaritet të ndërsjellë. Por kjo nuk zgjati.
“Tani atmosfera në Evropë është mjaft toksike kur bëhet fjalë për Kinën”, tha Joerg Ëuttke, president i Dhomës së Tregtisë së BE në Kinë.
Nisma “Belt and Road”
Shqetësimet u artikuluan gjatë një telefonate të 25 marsit të Grupit të Shtatë ministrave të Jashtëm për mënyrën sesi Kina do të procedonte gjatë krizës dhe pasi ajo të qetësohej. Ministrave u është thënë se Evropa dhe G-7 duhet të jenë vigjilentë, pasi Pekini ka të ngjarë të lëvizë “me shumë vetëbesim, më fuqishëm” dhe në një formë të tillë që të shfrytëzojë ndikimin e tij kur kombet e tjera janë ende të mbyllura për shkak të pandemisë, sipas një zyrtari evropian që është në dijeni të telefonatës.
Në publik, zyrtarët kinezë janë shfaqur me një ton pajtues. “Kur jeta e njerëzve është në rrezik, asgjë nuk ka më shumë rëndësi se sa të shpëtosh jetë. Është e kotë të diskutosh mbi meritat e sistemeve ose modeleve të ndryshme sociale”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian në një konferencë shtypi në 17 prill. Kina, tha ai, është e gatshme të punojë me komunitetin ndërkombëtar, përfshirë vendet evropiane, për të “mbrojtur së bashku shëndetin dhe sigurinë e mbarë njerëzimit.”
Megjithatë, mjetet e Kinës për të menaxhuar situatën janë kundërshtuar në pjesën më të madhe të Evropës. Një tekst me autor anonim, i postuar në faqen e internetit të ambasadës kineze në Francë këtë muaj akuzonte në mënyrë false stafin e azileve franceze se i linte të moshuarit të vdisnin. Ishte “një akuzë e jashtëzakonshme për një nga aspektet më të ndjeshme dhe më tragjike” të krizës në Francë, shkroi në Twitter, Mathieu Duchatel nga Instituti Montaigne.
Komentet e faqes së ambasadës ngritën alarmin për ofendimin e panevojshëm të shkaktuar. Kina nënvleftësoi reagimin ndaj teorive të komplotit të amplifikuara nga mediat e propagandës, sipas dy zyrtarëve evropianë në Pekin. Për më tepër, insistimi i Kinës që ndihma të shoqërohet me falënderime dhe lëvdata në publik ka nënvlerësuar vullnetin e mirë, i cili mund të ishte vlerësuar më shumë, thanë ata.
Kompanitë që preken
Qeveritë evropiane janë bërë më të kujdesshme ndaj Kinës gjatë dy viteve të fundit pasi nisma “Belt and Road” e iniciuar nga presidenti Xi për tregtinë dhe infrastrukturën u zgjerua në të gjithë kontinentin, duke kapur asete strategjike si portet, shërbimet e energjisë dhe firmat e robotikës nga Mesdheu në Detin Baltik. Ndërsa disa kombe përfshirë Italinë dhe Portugalinë kanë qenë mbështetës entuziastë të kësaj nisme, një program tjetër i njohur si Made in China 2025, me anë të të cilit Pekini kërkon të bëhet lideri botëror në teknologjitë më të rëndësishme, shihet në shumë zona si një kërcënim i mëtejshëm për industrinë evropiane.
Me rënien e çmimeve të aksioneve në krizën e koronavirusit, vendet, përfshirë Gjermaninë, që kanë rregullore për kontrollimin e investimeve i kanë forcuar ato dhe kanë zgjeruar qëllimet e tyre në përgjigje të shqetësimeve që Kina, ndër të tjera, mund të merrte kontrollin e aksioneve në kompani që papritmas ishin bërë vulnerabël. Komisionerja e Konkurrencës në BE, Margrethe Vestager, sugjeroi në një intervistë për “Financial Times” që qeveritë të vijojnë me blerjen e aksioneve aksione në vetë kompanitë për të shmangur kërcënimin e marrjes së kontrollit nga kinezët.
Akoma më të gjera janë propozimet për të frenuar varësinë nga Kina, jo vetëm për furnizime mjekësore, por në fusha të tilla si teknologjia e baterive për automjetet elektrike. Komisioneri i Tregtisë i BE, Phil Hogan, tha javën e kaluar se duhet një diskutim “mbi atë që do të thotë të jesh autonom në mënyrë strategjike”, përfshirë ndërtimin e “zinxhirëve të furnizimit, bazuar në diversifikimin, duke pranuar faktin e thjeshtë që ne nuk do të jemi të aftë të prodhojmë gjithçka në vend”. Japonia veçoi 2.2 miliardë dollarë nga paketa e saj stimuluese prej 1 trilion dollarësh për të ndihmuar prodhuesit e saj të zhvendosnin prodhimin nga Kina.
Pa përmendur Kinën, ministrat e tregtisë të BE-së ranë dakord në një lidhje videokonferencë të 16 prillit mbi rëndësinë e diversifikimit për të “zvogëluar besimin në vendet e furnizimit individual”. Si hap i parë, Berlini planifikon fonde shtetërore dhe garanci për blerje për të filluar prodhimin industrial të miliona maskave kirurgjikale dhe atyre të fytyrës deri në fund të verës. Kina aktualisht eksporton 25% të maskave të fytyrës në botë.
Wuttke i dhomave të tregtisë së BE tha se diskutimi mbi zinxhirët e furnizimit filloi kur Pekini mbylli portet e tij në fillim të këtij viti, duke shkaktuar frikën se përbërësit farmaceutikë të prodhuar në Kinë nuk do të arrinin në Evropë, dhe duke bërë që politikëbërësit të kuptojnë se produktet strategjike duhej të siguroheshin. Sipas një zyrtari tjetër evropian, madje edhe furnizuesit zyrtarë po prisnin kontrata për sende të tilla si ventilatorë, duke “djegur urat” përgjatë rrugës. “Njerëzit duan t’i kenë vezët e tyre në më shumë shporta,” tha Wuttke.
Urat që digjen
Sigurisht që atëherë toni i debatit politik në Evropë ka ndryshuar. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i tha gazetës “Bild” se rillogaritja që Kina i bëri numrit të vdekjeve javën e kaluar ishte “alarmante”, ndërsa Presidenti Francez Emmanuel Macron tha në një intervistë në FT se ishte “e qartë se atje kanë ndodhur gjëra që ne nuk i dimë.” Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dominic Raab, tha që nuk mund të ketë “biznes si gjithmonë” me Kinën pasi të mbarojë pandemia.
Ministria e Shëndetësisë në Spanjë ka anuluar një porosi të kompleteve të testimit të antigjenit nga kompania kineze “Bioeasy” pasi dërgoi përsëri një sasi të mëparshme, njoftoi spanjollja “El Pais”. Autoritetet shëndetësore zbuluan se të dy grupet e kompleteve ishin defektoze.
Si rezultat i krizës Covid-19, presioni po rritet në Britaninë e Madhe për të kthyer pas vendimin e saj për t’i dhënë Huawei Technologies një rol të kufizuar në rrjetet e tij 5G, ndërsa Franca mund të jetë më pak e prirur t’i japë Huawei një pjesë të kontratave të saj 5G mbas asaj që ndodhi me ambasadën. Gjermania duhet të marrë një vendim rreth mesit të vitit për përfshirjen kineze në rrjetet e saj 5G.
Në betejën e narrativave, Gjermania është thelbësore, sipas Janka Oertel, drejtore e programit të Azisë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme në Berlin. Si ekonomia mbizotëruese e Evropës, lidhjet e saj tregtare me Kinën lë në hije ato të fqinjëve të saj: eksportet gjermane në Kinë në vitin 2019 ishin më të larta se ato të ShBA, Francës, Italisë, Spanjës dhe Holandës. Gjermania do të marrë presidencën e radhës të BE-së më 1 korrik, duke i dhënë asaj mundësinë për të kthyer debatin në Evropë.
Kina ende mund t’i rifitojë favoret dhe të ndihmojë në sigurimin e një roli më të madh global duke aderuar në kërkesat për të hapur tregjet e saj dhe për të rritur nivelin e lojës për biznesin ndërkombëtar, tha Oertel. “Kjo do të ishte diçka që evropianët do ta vlerësonin shumë,” tha ajo. Të njëjtën gjë, ajo shtoi: “Unë nuk mendoj se ka shumë gjasa.” / Bloomberg