Kontributi i njerëzve të thjeshtë, është i natyrshëm dhe nga më të sinqertët, jo për të bërë emër, por për të dhënë gjithçka nga dijet dhe eksperiencat e tyre, për zhvillimin dhe përparimin e një komuniteti, bashkësie dhe shoqërie ku ata jetojnë dhe punojnë. Dy nga këta njerëz që mbahen mend nga memaliotët dhe kujtohen me respekt, janë çifti Zenepe dhe Riza Goga, të cilët kanë qenë: nënë Zenepja si rrobaqepësja e parë dhe xha Rizai si këpucari i parë në fillimet e qytetit të Memaliajt. Ata erdhën familjarisht në vitin 1952 për të punuar dhe jetuar në këtë qytet minatorësh.
Xha Rizai u lind në vitin 1908-të, në fshatin Salari të Tepelenës me prindër, Merjeme dhe Mehmet Goga. Në moshën 6- vjeçare u largua nga Salaria dhe u vendos në Gjirokastër së bashku me të vëllain e tij më të madh, Shefitin dhe nënën e tyre, Merjemen, pasi kjo e fundit humbi burrin e saj dhe dy fëmijët ngelën jetim. Ata shkuan tek dajua i nënës së tyre, Merjemes, i cili i mbështeti shumë në ato kohë të vështirë që Po kalonin.
Aty në atë moshë, Rizai së bashku me të vëllanë e tij më të madh, Shefitin, filluan punonin bashkë si ndihmës, në këpucarinë e një këpucari grek, ku morën edhe zanatin e këpucarit. Më pas, kur Rizai ishte 17 vjeç dhe Shefiti 22 vjeç, së bashku më nënën e tyre, Merjemen, kthehen në Tepelenë ku ngritën edhe shtëpitë e tyre.
Duhet të këtë qenë viti 1925, kur ata janë kthyer dhe menjëherë hapën këpucarinë e tyre private me emrat “Shefit Salaria” dhe “Riza Salaria”. Ata kishin mbiemrin Goga, por u flisnin Salaria, vendi nga ku ata e kishin për vendlindjen e tyre. Pasi e ushtruan aktivitetin e tyre për shumë kohë, i zuri Lufta e Dytë Botërore. Edhe pse kohë lufte, të dy vendosin të hapin familje. Rizai u martua me Zenepe Guga nga Libohova.
Përgjatë Luftës së II-të Botërore, u djegin shtëpinë, pasi kërkonin vetë Rizain, ngaqë ishte lidhur me LANÇ-re dhe u rregullonte këpucët partizanëve, sepse ishte lidhur me Rebani Shehun. Kur nuk kapën dot Rizain, aty kapën një nga komuniteti egjiptian dhe e varën tek Rrapi i madh i Tepelenës. Rebaniu, pasi e dëgjon këtë, lajmëron Rizain dhe i thotë: “Riza, ikë, ikë, merr familjen se do të kapin gjermanët.”
Të dy familjet largohen menjëherë nga Tepelena. Familja e Rizait u hodh përtej lumit Vjosë dhe vendoset kalimtarë për disa ditë në fshatrat, Beçisht, Damës, Maricaj dhe shkojnë në Golishov të Fierit. Ndërsa Shefiti shkoi në Progonat, pastaj në Fier. Të dy familjet qëndruan në këto dy vendbanime, derisa u çlirua Shqipëria.
Pasi mbaroi lufta, në fund të vitit 1944-ër, kthyen në Tepelenë dhe gjejnë të djegura shtëpitë e tyre. Të detyruar nga kjo gjendje, u futën në shtëpi të braktisura për momentin. Punoi 2 vjet dhe në fund të vitit 1946-ës, kthehet prapë në Gjirokastër, ku punoi dhe jetoi për tre vjet rresht.
Në fillim të vitit 1949-të, rikthehet në Tepelenë dhe filloi prapë zanatin e këpucarit. Aty e gjenë shoku i tij të paraluftës, Nako Gjokthomin, i cili ky i fundit i thotë, “Riza, merr fëmijët dhe eja në Memaliaj.”
“Ku të vete në Memaliaj, pasi nuk kam, as shtëpi, as punë!” – i përgjigjet Rizai.
“Hajde se do të gjejë unë punë dhe shtëpi?”, ia kthen Nakua.
Në atë kohë, Nako Gjokthomi ishte drejtori i NFP-së. Ishte viti 1952, kur Rizai fillon punën si shitës dhe Zenepia punoi si pjatalarëse. Aty, Rizai punon për një periudhë si shitës, pastaj kaloi disa muaj në ndërtim si punëtorë ngarkim-shkarkimi me gurë dhe zhavorë. Në ndërtim punonte bashkë me Rustem Beshikun. Të dy punonin me të njëjtën makinë transporti. Në një nga ditët që punonin bashkë, Rizai pyet Rustemin: “A do vish të punosh si këpucar?”. “Nuk di asgjë nga ky zanat!”, iu përgjigj Rustemi. “Hajde se do të mësoj unë”, i thotë Rizai, me një ton që i jepte më shumë besim Rustemit për të vendosur. Rustemi, pasi e dëgjoi, nisur nga fisnikëria dhe eksperienca e Rizait, i jep fjalën se do të ndiqte çdo këshillë të tij, për të arritur edhe ai nivelin e një këpucari profesionist, siç ishte xha Rizai.
Të dy, Rizai dhe Rustemi, vendosën të bashkëpunonin dhe në fillim të vitit 1953, hapën këpucarin e tyre private, tek furra e vjetër e Gorricës, ku e kishte edhe Baçua dhe vazhduan aktivitetin, deri në fund të vitit 1954. Në këtë këpucari filluan të punonin edhe këpucarë të tjerë, ku Rizai vetë, hodhi mendimin për të bërë kooperativën e parë të këpucarëve për qytezën e Memaliajt në atë kohë. Kooperativa e parë e këpucarëve në atë kohë, u vendos tek një godinë njëkatëshe, e cila ishte e vogël dhe e vjetër. Ishte tek vendi ku ishte këndi i “Fletë-Rrufeve, në krahë të ish “Kino Klubit” të vjetër. Aty u futën në vitin 1955 dhe Rizai bashkë me Rustemin, vazhduan të punonin deri në vitin 1974, ku në moshën 66-vjeçare, Riza Giga ndërroi jetë. Të gjitha veglat e mjeshtër Rizait, i mbajti Rustemi. Ishin të gjitha mall amerikan. Përgjatë viteve pas çlirimit të vendit, Riza Goga dhe familja e tij, nuk morën asnjë dëmshpërblim për shtëpinë që u dogj nga gjermani.
Nënë Zenepja, si fillim punoi për 3 vjet, si ndihmës kuzhiniere dhe pjatalarëse. Më vonë kaloi të qepte rroba si fustane, pantallona pa harruar edhe çarçafë, perde dhe mbulesa, pasi kishte një makinë qepëse me dorë dhe filloi që ta shfrytëzonte, për të siguruar më shumë të ardhura. Në atë kohë, ishte në aktivitet privat, ku doli dhe kërkesa e hapjes së një rrobaqepësie shtetërore në qytet. Nënë Zenepja, vazhdoi të punonte në shtëpi edhe pse më vone shteti e ndaloi punën private. Ajo e trashëgoi zanatin tek djali i saj Gjergji, i cili është më i vogli nga vëllezërit e tjerë. Gjergji e filloi në moshë shumë të re këtë profesion dhe e ushtroi me shumë kujdes në rrugë private. Për kohën arriti shumë sukses dhe ishe një ndër stilistët më të njohur në Memaliaj, për pantallona.
Familjes së Zenepe dhe Riza Goga i erdhën në jetë edhe pesë fëmijë. Emrat e tyre janë Eqerem, Xhemo, Gazmend, Ilir dhe Gjergji. Eqeremi, ka punuar një jetë të tërë nëpër thellësitë e nëntokës së minierës dhe në frontet më të vështira. Si pjesëtarë i “Brigadës së Shpëtimit të Minierës”, përveç trupave pa jetë, nga thellësitë e nëntokës për në sipërfaqe, ka nxjerrë edhe dhjetëra minatorë që u ka shpëtuar edhe jetën. Ka një kontribut të madh në lërimin dhe zhvillimin e artit memaliotë në disa zhanre. Para disa vitesh, është vlerësuar nga Këshilli bashkiak i Memaliajt me titullin, “Qytetar Nderi i Memaliajt”. Ndërsa Xhemua, ka punuar për shumë vjet, në sektorin komunal, në profesionin e stilistes së prerjes së flokëve dhe përgatitjen e nuseve duke u bërë dhe grimin. Në të njëjtën kohë punonte edhe fotografe. Gazmenti ka punuar në ushtri me gradën oficer. Ndërsa Iliri, ka punuar për shumë vjet nëpër thellësitë nëntokës së minierës dhe nga puna e vështirë, u sëmur dhe ndërroi jetë në moshë shumë të re. Gjergji, që është edhe fëmija më i vogël, i familjes Goga, ka punuar për shumë vjet si shoferë kamioni. Gjithashtu, ka ushtruar privatisht dhe në rrugë të jashtëligjshme, profesionin e rrobaqepësit, ku pati shumë sukses në atë kohë, të cilin e bëri edhe më të mirënjohur në Memaliaj dhe më gjerë.
Edmond Ismailati
Dhjetor 14, 2019, New York City.