Zëri simbol i Radio Tiranës Vera Zheji, është ndarë të shtunën pasdite nga jeta në moshën 91-vjeçare. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga familjarët e saj.
Vera Zheji që në moshën 15-vjeçare, në shkurt të vitit 1948 nisi në mikrofonin e Radio Tiranës të bënte leximin e emisioneve letrare. Vera, shumë shpejt u bë një nga zërat më popullor dhe më të njohur në të gjithë Shqipërinë. Zërin e saj mund ta dëgjoje që në orën 5.00 të mëngjesit, duke lexuar emisione të llojeve të ndryshme.
Zheji ishte një folëse që nuk gabonte kurrë gjatë leximit. Kush nuk kujton leximin e përrallave të orës 19.00 në vitet ‘70-të nga Vera?
Vera lexoi edhe lajme në italisht, gjuhë që e zotëronte shumë mirë, sepse ishte e prirur për gjuhë të huaja ashtu si vëllezërit e saj të shquar në fushën e letërsisë, Petro dhe Gjergj Zheji.
Ajo ishte edhe një aktore e talentuar dhe këtë e tregoi në disa pjesë teatrore, ku spikat komedia “Shi në plazh”.
Ajo krijoi edhe emisione të ndryshme si ‘Bota e përrallave’, ‘Universiteti popullor i radios’, ‘Enciklopedia e radios’ e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unike të të lexuarit jo vetëm për lajme, por dhe për gjëra kulturore.
Në vitin 1975 Vera Zheji emërohet pedagoge e Fjalës Artistike në degën e teatrit, në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1988 kur doli në pension.