Kontrollorët shqiptarë do të zëvendësohen nga homologë turq. Sipas përkthyeses së delegacionit turk, kontrollorët turq kanë mbërritur që mbrëmë në Rinas, ardhur përmes aeroportit të Podgoricës.
Kontrollorët turq pritet të menaxhojnë hapësirën ajrore shqiptare deri në zgjidhjen e problematikës.
Ndërkohë, pak pas orës 15:00 të së enjtes, më shumë se 24 orë nga pezullimi i punës së kontrollorëve, është ulur avioni i parë në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas.
Ashtu siç bëri të ditur në deklaratë ministrja Balluku, avioni i “Air Albania” ka mbërritur nga Stambolli me sasinë e radhës së vaksinave kineze.
Ditën e nesërme, aeroporti pritet të rikthehet funksional edhe për pasagjerët.
Ky zhvillim vjen disa orë pas mbledhjes Komitetit të Mbrojtjes Civile, i thirrur nga ministrja Balluku.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, e ngarkoi Ballukun me detyrën e zëvendësimit të kontrollorëve që kanë braktisur detyrën sipas zyrtarëve të qeverisë.