Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi edhe njëherë pas mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike, se nuk mund të bëhet pjesë e procesit mafioz të iniciuar nga mazhoranca për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Sipas Berishës, praktika e zarfeve të fshehta në grupin e PS-së, tregon se nga aty do të dalë vetëm emri që do Edi Rama dhe për këtë arsye opozita nuk mund të bëhet pjesë e kësaj farse.
“Në mbledhjen e grupit, theksova se opozita nuk mund të përfaqësohet me të emëruar nga Taulant Balla. PD-ja nuk do ta njohë një praktikë të tillë. Denoncova me forcë praktikën e ndjekur nga Rama për procesin e zgjedhjes së presidentit, praktikë kjo që diskrediton institucionin e presidencës dhe zgjedhjen e presidentit. Kjo praktikë nuk ka qëllim tjetër veçse të nxjerrë nga zyrat e tij njeriun që do dhe që komandon. Ky ishte debati. Mediu dhe Doda kanë bërë zgjedhjet e tyre. Unë e denoncoj këtë farsë. Ajo zhvillohet me zarfe sekrete brenda grupit parlamentar. Si mund të jetë me opozitën? Aty mund të jenë propozuar 40 emra, por do caktohet ai që do Edi Rama. Thirret shoqëria civile dhe i thonë dërgoje emrin me e-mail”, u shpreh Berisha.