Në mbledhjen e sotme të qeverisë me kryebashkiakët në Shkodër, mungonte kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, pasi ai ndodhet në burg me akuzën e blerjes së votave.
Kryeministri Edi Rama tha se për ripërsëritjen e zgjedhjeve në Himarë, pritet vendimi i Gjykatës së Apelit, dhe shtoi se në fund do të jetë në pritje të caktimit të një date që i përket si kompetencë Presidentit.
Rama pati edhe një kritikë indirekte ndaj Athinës, ndërsa tha se “për mua që nuk komentoj vendimet e drejtësisë, më duket paksa jo normale që të ndërhyhet në çështjen e drejtësisë”.
“Ju e dini shumë mirë këtë çështje dhe arsyen pse ne s’kemi pasur zgjedhje. Ka qenë thjeshtë dhe vetëm një qasje e vullnetit të mirë nga ana e Shqipërisë. Do presim vendimin e Apelit. Zgjedhjet e reja nuk i shpall Kryeministria, por Presidenti i Republikës. Do ndiqet ligji dhe standardet demokratike.
Do kishte qenë e udhës që drejtësia shqiptare të ishte lënë e qetë siç e kemi lënë ne të qetë për të gjitha çështjet brenda nga cilidoqoftë jashtë Shqipërisë sepse është drejtësia shqiptare që vendos për çështjet që lidhjen me qytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe zotëria është qytetar i Republikës së Shqipërisë.
Nuk është as mbi të tjerët as nën të tjerët dhe ligji është i barabartë për të gjithë dhe për ne tingëllon paksa cingërisëse që të dëgjojmë zëra në gjuhë të huaj që komentojnë vendimet e gjykatave të Shqipërisë”, tha Rama.