Politika Zgjedhjet e 11 Majit 2025/ Berisha: PD ka korrigjuar gabimin fatal që...

Zgjedhjet e 11 Majit 2025/ Berisha: PD ka korrigjuar gabimin fatal që bëri me zgjedhjet lokale të vitit 2019

Në një mbledhje me të zgjedhurit vendorë, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë të PD-së, ish-Kryeministri Sali Berisha është shprehur se partia që ai drejton ka korrigjuar gabimin fatal që bëri me zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Sali Berisha: PD korrigjoi atë gabim fatal që bëri me zgjedhjet lokale të vitit 2019, por nga ana tjetër PD faktoi apo realizoi të paimagjinueshmen. Në ç’kuptim? Në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale. Në zgjedhjet e 14 Majit 2023 ne hymë në zgjedhje pa vulë, pa flamur, pa emrin e kryetarit në fletë votimi, pa asnjë qindarkë financim. Pa përfaqësues tanë në gjysmën e komisioneve të numërimit. Dhe ne si opozitë morëm 600 mijë vota, qindra mijëra këshilltarë. Fituam dhe disa nga bashkitë e vendit. Pra, zgjedhjet që ishin parashikuar të ishin eliminimi përfundimtar i opozitës si faktor elektoral, në fakt shqiptarët provuan të kundërtën. E vështirë shumë, pavarësisht nga propaganda mashtruese e qeverisë, por unë u them ju se është shumë e vështirë të gjesh një rast të tillë në histori, ku një forcë politike, e privuar nga të gjitha këto, të arrijë një rezultat që arritëm ne me 14 Maj. Në një kohë kur narkoqeveria përdori çdo lloj mekanizmi, përdori shteti elektoral kriminal dhe bandat e tij, përdori propagandën mashtruese, të gjitha këto, por mbi 600 mijë votues shqiptarë votuan kundër saj.

Gjatë fjalës së tij, Berisha thotë se zgjedhjet e Majit 2023 ishin parashikuar të sillnin eleminimin e opozitës, por shton se shqiptarët provuan të kundërtën. Më tej, kryedemokrati shpreh bindjen se në zgjedhjet e 11 Majit 2025, PD së bashku me forcat opozitare do të marrin një fitore të thellë dhe të merituar.

Sali Berisha: Ndalem në këtë analizë më së pari për të shprehur bindjen time më të thellë se sot forca politike, e cila në ato kushte, shto edhe izolimin më të thellë, më të pamerituar, ia doli të marrë 600 mijë vota nga shqiptarët, në këto zgjedhje do jetë forcë politike e një fitoreje të thellë. E një fitoreje të merituar. Nuk kishte asgjë më të pamundshme se në kushtet e një diskriminimi total, e një terrori të vërtetë banditesk, e një shteti kriminal elektoral, e akteve më brutale, me listat, me bandat, me patronazhistët, me aktivistët, etj, të votoheshe nga 600 mijë shqiptarë. Në historinë elektorale të këtij vendi ajo do mbetet habia elektorale e PD dhe opozitës.