Politika Zgjedhjet e 11 Majit/ KQZ miraton ndarjen e re të mandateve, një...

Zgjedhjet e 11 Majit/ KQZ miraton ndarjen e re të mandateve, një mandat i Korçës i shtohet Tiranës

Komisioni Rregullator i KQZ-së ka miratuar projektvendimin për “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvend të vitit 2025”.

Qarkut të Tiranës i shtohet një mandat, duke çuar në numrin e përfaqësuesve në Kuvend në 37 nga 36 që ishte deri tani. Një mandat i hiqet Korçës, duke e çuar numrin në 10 mandate, nga 11 që kishte.

Njoftimi i KQZ:

Sot, Komisioni Rregullator shqyrtoi projektvendimin “Për caktimin e kufijve dhe ngritjen e zonave të administrimit zgjedhor, për Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2025”.

Komisioni caktoi kufijtë dhe ngritjen e 93 (nëntëdhjetë e tre) Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvend, që do të mbahen në datën 11 Maj 2025.

Bashkitë që kanë më shumë se 80 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen nga KQZ-ja në më shumë se sa një ZAZ, duke respektuar kriterin e pandashmërisë së territorit të njësisë administrative, vazhdimësinë dhe kompaktësinë e territorit, barrierat gjeografike, mundësitë e mira të komunikimit brenda territorit dhe numër të përafërt zgjedhësish.

Gjithashtu, u shqyrtua edhe projektvendimi “Për miratimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, për Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2025”.

Komisioni Rregullator miratoi numrin e mandateve për 12 qarqet e vendit, si më poshtë vijon:

Qarku Berat 7 mandate
Qarku Dibër 5 mandate
Qarku Durrës 14 mandate
Qarku Elbasan 14 mandate
Qarku Fier 16 mandate
Qarku Gjirokastër 4 mandate
Qarku Korçë 10 mandate
Qarku Kukës 3 mandate
Qarku Lezhë 7 mandate
Qarku Shkodër 11 mandate
Qarku Tiranë 37 mandate
Qarku Vlorë 12 mandate
Komisioni Rregullator vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektvendimit “Mbi rregullat për numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë, dokumentacionin përkatës dhe mënyrën e plotësimit të tij, si dhe tabelimin e rezultatit të votimit nga jashtë”.