Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i dërgoi një mesazh të qartë udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut.
Ai u kërkoi liderëve të rinj që të merren seriozisht me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, duke paralajmëruar se Shkupi po shkon drejt një izolimi ndërkombëtar.
Mitsotakis theksoi qartë, se emri i fqinjit të saj verior, është Maqedonia e Veriut.
“Marrëveshja e Prespës duhet respektuar. Emri i fqinjit tonë është Maqedonia e Veriut dhe ata që ende e quajnë Republika e Maqedonisë do të përballen me reagimin tonë. Miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut duhet ta kuptojnë se periudha parazgjedhore ka mbaruar dhe ata duhet të bëhen seriozë”.
Mitsotakis theksoi se ai dhe partia e tij, Demokracia e Re, e dinte se VMRO-DPMNE po vinte në pushtet me një retorikë nacionaliste ekstreme. Madje, sipas tij, brenda partisë kishte debate dhe opinione për mosratifikim të Marrëveshjes së Prespës.
“E pamë që VMRO-DPMNE po vine në pushtet me retorikë ekstreme, e diskutuam brenda partisë dhe thamë se nuk duam të vazhdojmë me ratifikimin e memorandumeve të Marrëveshjes së Prespës. Unë mund ta kisha grisur marrëveshjen me një ligj dhe një nen, por kjo nuk është e mundur dhe ua kisha bërë të qartë qytetarëve, isha i sinqertë me ta”.
Në raport me Turqinë, kryeministri grek, përmendi faktin se problemet janë tashmë të sheshuara, por duhen kohë që Ankaraja të përshtatet me realitetin e ri gjeopolitik.
Mitsotakis theksoi faktin se Bashkimi Europian po forcohet ushtarakisht me ndërtimin e fregatave lundruese, si pjesë e forcimit të politikës së jashtme europiane.