Zgjedhjet e rëndësishme paraprake të Ajouas (Iowa) u mbyllën në kaos, ndërsa Partia Demokratike refuzon të shpallë një fitues. Mijëra qytetarë të këtij shteti iu drejtuan më shumë se 1600 qendrave të votimit në 99 konte për të marrë pjesë në procesin publik.
Por në fund, kryetarët e qendrave zgjedhore patën probleme në raportimin e shifrave. Partia Demokratike në Ajoua tha se problemet me teknologjinë i kishin detyruar të shkruanin votat me dorë ose t’i fotografonin ato, në mënyrë që të raportonin rezultatet.
Kështu në vend të fjalimeve të fitores kandidatët u ngjitën në skenë mbrëmjen e së hënës për të folur me mbështetësit e për t’i falënderuar ata. Ata thanë se do të zhvendoseshin tani në Nju Hempshër, ku votimi i radhës është gati 1 muaj larg.
“Të gjithë treguesit thonë se jemi shumë afër. Nuk e dimë ende rezultatin e saktë po ndihemi mirë, dhe tani presim votimin në Nju Hempshër”, deklaroi ish-zëvendëspresidenti Joe Biden pas votimit.
Ndërkohë, edhe Bernie Sanders ka qetësuar mbështetësit duke thënë se “rezultatet do të shpallen, e kur kjo të ndodhë ne do të pozicionohemi shumë mirë”.
Në fund të ditës nuk pati një fitues ndërsa humbësi i vërtetë ishte Partia Demokratike e Ajouas.