Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka qenë sot në Kosovë, për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Sipas njoftimit të vetë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Cakaj ka votuar në Prishtinë, në ambientet e shkollës “Shtjefën Gjeçovi”.
“Unë nuk jam thjesht një shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, por jam edhe një qytetar aktiv i cili beson që fati këtyre dy vendeve është i pandashëm. Qoftë zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, qoftë zgjedhjet e tetorit tani pavarësisht dallimeve të dy vendeve kanë diçka të përbashkët, janë shprehje e vullnetit të përgjithshëm politik”, tha Cakaj për mediat.
“Kosova ka ndërtuar një traditë të zgjedhjeve të lira e demokratike dhe kjo është për t’u vlerësuar sepse shërben si shembull në rajon. Kosova po ballafaqohet me dy grupime sfidash në periudhat që po vijnë, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe ekonomisë, si dhe nga ana tjetër konsolidimin e shtetit në arenën ndërkombëtare”.
Në fund, i pyetur si e pret një reagim të Beogradit për votimin e tij edhe në Tiranë edhe në Prishtinë Cakaj shprehet se voton në bazë të bindjeve të tij dhe në përputhje me interesat e vendit të tij Kosovë dhe Shqipëri, nuk ka shqetësim për reagimet e Beogradit.