Kur janë numëruar pjesa më e madhe e kutive të votimit krejt ndryshe nga parashikimi Partia Demokratike e Socialistëve udhëhequr nga presidenti Milo Gjukanoviç ka arritur të sigurojë 34.8% të votave.
Surprizë është koalicioni pro serb Fronti Demokratik, që deri më tani ka siguruar 32.7% të votave, përkthyer në 27 vende në parlament.
Sa i përket dy koalicioneve shqiptare të cilat garonin në këto zgjedhje, sipas rezultateve paraprake kanë arritur të sigurojnë dy mandate. Lista Shqiptare ka marrë 1.4% të votave ndërsa Koalicioni Shqiptar 1.1%.
Aleati i Listës Shqiptare, Genci Nimanbegu tha për Euronews Albania se rezultatet e arritura nga shqiptarët në Malin e Zi ishin të pritshme, por humbja pas tre dekadash e partisë së Gjukanoviç do të shënojnë një realitet të ri që do të reflektohet në pozicionimin e vendit në rajon dhe në marrëdhënie me fqinjët.
Nimnabegu tha se pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte relativisht e lartë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2016, ndaj në këtë mandat duheshin rreth 5 mijë vota për të marrë një mandat.
Sipas tij, koalicioni tjetër shqiptar ka arritur ta marrë mandatin në sajë të votave të Listës Shqiptare.
“Kësaj radhe koalicioni ynë ka arritur 6500 vota, koalicioni tjetër 4500, por jemi të lumtur dhe të kënaqur që edhe me votat tona koalicioni tjetër të arrijë një mandat. Nga të gjithë subjektet që kanë garuar, 9 prej tyre e kanë kaluar pragun zgjedhor, 2 listat kroate do jenë jashtë kuvendit”, u shpreh ai.
Nimanbegu u shpreh i kënaqur me arritjen e dy koalicioneve shqiptare në këto zgjedhje, përkundër presioneve, që siç tha shumë njerëz kanë pasur për të shkëmbyer votën me një vend pune, dhe shtoi se shpejt do të ulen në bisedime me koalicionin tjetër shqiptar për të folur rreth pozicionimit në qeverinë e ardhshme.