Partia pro-perëndimore Demokratike e Socialistëve në Malin e Zi ka siguruar 35 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare. Rezultati më i dobët që kur vendi fitoi pavarësinë nga Serbia, 14 vjet më parë.
Rezultatet zyrtare tregojnë se aleanca opozitare pro-serbe ka fituar 32.5% të votave, që do të thotë se mund të formojë qeverinë, në rast se arrin një marrëveshje me dy partitë e opozitare të Malit të Zi, duke hedhur nga pushteti partinë Demokratike të Socialistëve, për herë të parë në Ballkan në 30 vjet.
Presidenti Milo Gjukanoviç, i cili ka qenë në krye të Malit të Zi për tre dekada, tha se partia e tij do t’i respektonte rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ndërsa kryetari i koalicionit pro-Serb, Zdravko Krivokapic, tha se “regjimi i vendit ka rënë”.
Partia e Gjukanoviç ka qeverisur Malin e Zi që nga viti 1991, duke e çuar vendin drejt pavarësisë nga Serbia në vitin 2006 dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjukanoviç arriti ta fuste Malin e Zi në NATO në vitin 2017 përballë kundërshtimeve nga forcat pro-serbe.
Por zgjedhjet e këtij viti u dominuan nga problemet e brendshme. Grindje mbi të drejtat pronësore të Kishës Orthodokse serbe kanë sjellë që partia e tij të jetë përballë një aleance të forcave pro-serbe dhe pro-ruse, të udhëhequr nga Fronti Demokratik. Në vitin 2016 policia zbuloi një komplot për grusht shteti të organizuar në ditën e zgjedhjeve për të vendosur në qeveri forcat pro-ruse dhe pro-serbe.