Kandidati demokrat për President Joe Biden tha të martën ai dhe Presidenti Donald Trump nuk duhet të zhvillojnë debatin e tyre të planifikuar më 15 tetor nëse Trump do të vazhdonte të ishte i infektuar me koronavirus në atë kohë.
“Nëse ai ende ka COVID-19, nuk duhet të kemi debat”, u tha sot gazetarëve Biden.
Më herët, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i infektuar me koronavirus, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë të martën se ka në plan të marrë pjesë në debatin e dytë me rivalin e tij demokrat, Joe Biden.
“Unë mezi e pres debatin mbrëmjen e së enjtes më 15 tetor në Miami. Do të jetë i mrekullueshëm!”, tha presidenti në Twitter.
Trump rezultoi për herë të parë pozitiv për COVID-19 të enjten e kaluar dhe u shtrua në spital për 72 orë midis mbrëmjes të së premtes dhe të hënës.
Bazuar në këto detaje për fazat e infektimit, pjesëmarrja e tij në debat, gjatë së cilës kandidatët do t’u përgjigjen pyetjeve të votuesve, mund të përbëjë rrezik për shëndetin publik, bazuar në udhëzimet nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), e cila konsideron se dikush i infektuar me virusin mund ta transmetojë atë për 10 deri në 20 ditë nga fillimi i simptomave.
Komisioni për Debatet Presidenciale, grupi jofitimprurës që organizon debatet nuk ka komentuar ende për këtë çështje.
Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje. Mjeku i tij personal, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë të martën se presidenti kishte kaluar një “natë të parë të qetë në shtëpi dhe sot, ai nuk ka raportuar asnjë simptomë”.