Deklaratat e Donald Trumpit këto vite kanë sjellë një ftohje të dukshme në marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe SHBA-së. Edhe katër vite të tjera me Donald Trump, nuk i përfytyrojnë dot shumë politikanë në BE.
Nga Bernd Riegert
Nëse Joe Biden i fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA, ka shpresë për marrëdhëniet transatlantike, thotë Janis Emmanoulidis. “Askush nuk është aq naiv, sa të shpresojë, se do të ketë një kthim në kohën para Trumpit. Por shpresa ka që gjërat të përmirësohen”, shton drejtori i Institutit “European Policy Centre”. Nëse kandidati demokrat nuk ia del, të largojë presidentin Trump nga Shtëpia e Bardhë, eksperti Emmanoulidis pret që marrëdhëniet transatlantike të keqësohen më shumë. “Ka gjasa, që në mandatin e dytë ai të ushtrojë më shumë presion ndaj Europës se në të parin. Ai e ka identifikuar Europën si një të keqe më të madhe se aktorë të tjerë në botë. Këtë e ka thënë publikisht, megjithëse ai ka thënë shumë gjëra në katër vitet e fundit.”
Bashkëpunim, pavarësisht me cilin
Edhe eurodeputeti gjerman dhe ekspert për politikën e jashtme, Reinhard Bütikofer nga Aleanca90/ Të Gjelbrit nuk e mbështet gjeopolitikën e Donald Trumpit. “Nëse Trump thotë, BE është kundërshtare, kjo nuk ndihmon ta paraqesësh Uashingtonin pozitivisht në debatin europian.” Megjithatë ai beson, se në kongresin amerikan ka shumë politikanë, edhe republikanë, që e dinë, se kanë nevojë për bashkëpunimin me Europën për t’u përballur me Kinën, Rusinë apo të tjerë. Një president, Joe Biden nuk do të ndryshojë gjithçka, sipas tij, por ai me siguri do t’i dëgjojë aleatët tradicionalë dhe do të kërkojë të përbashkëtat. “Pavarësisht kush fiton në nëntor, ne duhet të investojmë në bashkëpunim.”
Në një studim të “Europian Council on Foreign Relations” në Bruksel të publikuar në verë, thuhet se europianët e kanë humbur besimin tek aleati i ngushtë. Sidomos menaxhimi kaotik i pandemisë së Coronës nga Trump ka ndikuar në atmosferën e marrëdhënieve. Studiuesit janë të mendimit, se një president Joe Biden sërish do të afrohet me europianët. Ata presin që SHBA të rikthehet tek Marrëveshja e Klimës së Parisit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Një qeveri e Bidenit do ta forcojë NATO-n si aleancë, edhe pse si republikanët edhe demokratët këmbëngulin në rritjen e buxheteve të mbrojtjes të vendeve europiane. Nëse Trump fiton, ish-këshilltari i sigurisë, John Bolton është shprehur se NATO- duhet të përgatitet mirë. Ai ka bërë prognozën edhe të daljes së SHBA nga NATO, që do të mund të çonte edhe në fundin e saj.
Edhe Biden ka kërkesa
Presidenti francez, Emmanuel Macron si reagim e ka quajtur NATO-n “të vdekur klinikisht” dhe formuloi kërkesat për më shumë “sovranitet europian”. Edhe krerë të tjerë të BE kërkojnë një rol më të madh gjeostrategjik të BE me distancë nga SHBA nën Donald Trump. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kërkon një kthim në rendin e bazuar në rregulla. “E vërteta është se sot kërkohet më me urgjencë se kurrë të reformojmë sistemin multilateral. Sistemi ynë global vuan shenjat e paralizimit.” Fuqi të mëdha tërhiqen nga institucionet ndërkombëtare ose “i marrin ato peng për interesat e tyre.”
Shpresa në Bruksel është, se kjo mund të arrihet me një president, Joe Biden. Eksperti i BE, Janis Emmanoulidis paralajmëron nga iluzionet. Qëndrimi pak a shumë i butë i Europës ndaj Kinës nuk do t’i pëlqejë shumë as një presidenti Biden. “Në sfidë do të jetë, nëse një qeveri e re nën Biden bashkëpunon në çështjet multilaterale, si mbrojtja e klimës, në organizatat ndërkombëtare, por në këmbim do të kërkojë që Europa të paraqitet më e ashpër ndaj Kinës.” Edhe nën Biden, SHBA mund të kërkojë që BE të mbështesë sanksionet për koncernin e teknologjisë, Huawei, pa kushte dhe të reagojë ndaj provokimeve kineze në Detin Jugor Kinez.
Tema kryesore – Tregtia e bashkon BE
Pas zgjedhjeve europianët duan të bisedojnë, pavarësisht me cilin president, për marrëdhëniet tregtare. Ende vërtitet në ajër kërcënimi i Trump për vendosjen e doganave të larta për automobilët dhe mallra të tjera nga Europa. Në korrik 2018 ai ra në një ujdi “armëpushimi” tregtar me presidentin e atëhershëm të KE, Jean-Claude Juncker, por konflikti nuk është zgjidhur përfundimisht. Atëkohë papritur Trump e lëvdoi BE si partnerin më të madh tregtar të SHBA.
Por në këtë fushatë zgjedhore, kjo temë nuk ka luajtur rol si tek Trump edhe tek Biden. Komisioneri i BE për tregtinë, Valdis Dombrovski shprehet në mënyrë diplomatike. “Në këto kohë duhet të tregojmë kujdes për miqësitë dhe të qëndrojmë pranë aleatëve që janë vërtet të rëndësishëm. Ka disa konflikte të vazhdueshme mes BE e SHBA. Sipas mendimit tim duhet që t’i zgjidhim shpejt këto.”
Shumë krerë të shteteve të BE do ta kishin më mirë të flisnin me një president Joe Biden liberal dhe me një gjuhë më pak luftarake. Por në fund të fundit BE duhet të bashkohet për të mbrojtur interesat e saj kundrejt SHBA, pavarësisht se kush hyn në Oval Office. Sipas Emmanoulidis: “Kur bëhet fjalë për çështje kardinale, të gjitha shtetet e BE deri më sot janë paraqitur të bashkuar, edhe pse disa janë përpjekur të mbajnë me administratën e Trumpit një marrëdhënie për avantazhe.”/DW