Përveç zgjedhjes së kreut të Shtëpisë së Bardhë për 4 vitet e ardhshme votuesit amerikanë dhanë verdiktin e tyre dhe për shumë çështje të tjera që shqetësojnë komunitetin në shtete të ndryshme.
Kështu në New Jersey dhe Arizona votuesit i thanë po legalizimit të marijuhanës për qëllime rekreative, ndërsa Oregoni miratoi përdorimin për qëllime terapeutike të psilocibinës, drogës haluçinogjene, e njohur ndryshe si kërpudhat magjike.
Aktualisht përdorimi për qëllime mjekësore lejohet në 33 shtete, por ligjërimi i përdorimit rekreativ ka pasur kundërshti për efektet e varësisë që mund të ketë te konsumatorët.
Ligjërimi i mariuanës në New Jersey vë në trysni shtetet fqinje si New York apo Pennsylvania.
Vitin e fundit në New Jersey ka pasur një numër të shtuar arrestimesh për përdorim kanabisi.
Tashmë pas këtij votimi do të nisë procesi burokratik i nxjerrjes së normave dhe rregullave që do ta lejojnë përdorimin dhe licencimin e tregtimit të kanabisit, ndërsa ekspertët e ekonomisë parashikojnë qindra milionë dollarë të ardhura nga taksat.
Masat për drogën ishin në mes të qindra pyetjeve që iu bashkëngjitën fletëve votimit, për të cilat amerikanët duhet të vendosnin, si për abortin, taksat etj.
Në total ishin 132 pyetje statutore dhe kushtetuese që u shfaqen në fletët e votimit këtë vit në 32 shtete të ndryshme.
Ndër temat kryesore, në Kolorado votuesit rrëzuan një masë që do të ndalonte abortin e vonë, Kalifornia miratoi rritjen e pagës minimale dhe Kalifornia përjashtoi drejtuesit e makinave për transport dhe shpërndarje nga një ligj që do i bënte ata punonjës të kompanive të tilla si Lyft dhe Uber, në vend se kontraktorë të pavarur.