Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Demokratike Jemin Gjana publikoi të dhënat e votimit të demokratëve deri në orën 10:30. Në një deklaratë për mediat ai ka bërë për mediat ai tha se deri më tani kanë votuar 12,928 anëtarë ose 17.2 për qind e anëtarëve. Sipas tij procesi ka vijuar normalisht dhe se nuk ka pasur vonesa apo ndërprerje.
“12 948 anëtarë që kanë votuar, që do të thotë një shifër që shkon te 17.2%. Përgjithësisht procesi ka ecur normalisht. Nuk ka pasur vonesa në fillimin e procesit. Në dy-tre raste që ka pasur ndonjë ndërprerje për efekt të qartësimit të situatave të votimit për anëtarë me kartë janë marrë vendimet përkatëse në komision dhe procesi ka vazhduar”, tha Gjana.
I pyetur për akuzat e bëra më herët nga kandidati Agron Shehaj, se në disa njësi po përjashtohen vëzhguesit e tij, Gjana tha se nuk ka pasur asnjë rast përjashtimi të vëzhguesve të këtij kandidati, por ka disa kritere.
“Kemi pasur probleme në 7-8 raste të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj, sepse erdhën disa propozime që u rrëzuan nga Komisioni, për arsye të qartë; ose kanë pasur kartë anëtarësie, ose nuk kanë qenë në listën e anëtarëve, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër. Nuk është pranuar që vëzhguesi i Shehajt në Maliq të jetë anëtar partie i Korçës. Jo se nuk ka përfaqësim, po ka kritere saktësisht të përcaktuara, për të cilat komisioni ka marrë vendimet përkatëse. Për llogari të Shehajt janë plotësuar me përfaqësues të tjerë, Kruja, Lushnja, dega 4, Kavaja, Maliqi, Shkodra që ende nuk futet një nga përfaqësuesit”.
Kandidati për kryetar i PD-së Agron Shehaj i cilësoi votimet në PD si një proces me standard shumë të ulët demokratik, ndërsa bëri të ditur se në një pjesë të madhe të qendrave të votimit, vëzhguesit e tij janë përjashtuar dhe po pengohen që të monitorojnë procesin.