Opinione Zgjerimi i BE-së/ Shqipëria shembull virtyti? Në Ballkan ka djegur etapat

Zgjerimi i BE-së/ Shqipëria shembull virtyti? Në Ballkan ka djegur etapat

Nga Federica Woelk*

Kur përmendim Balkanin priremi të mendojmë për gjithë rajonin gjeografik emërtuar kështu por kur flasim për zgjerimin e BE-së në Gadishull mbetet e rëndësishme të kujtojmë se ka ndryshime të rëndësishme mes 6 vendeve që synojnë aderimin: Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova e Shqipëria. Prej këtij grupi Shqipëria është një prej vendeve më të përparuara në këtë proces. Një rikujtesë e ecurisë së saj në të do të na lejojë të kuptojmë më mirë rrugëtimin e Tiranës.

Në tetor 2012 Komisioni Evropian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, duke vendosur si kushte përmbylljen e masash kyç në sektorët e reformës së drejtësisë e rishikimit të rregulloreve parlamentare. Vendit të Shqiponjave iu akordua statusi kandidat në qershor 2014. Krahasuar me 6 vitet që iu deshën Bosnjes për ta marrë statusin prej çastit të rekomandimit dy vjet janë vërtet pak.

Në prill 2018 Komisioni Evropian formuloi rekomandimin për hapjen e negociatave të aderimit me Shqipërinë. Në qershor të të njëjtit vit Këshilli Evropian miratoi përfundimet në të cilat iu përgjigh pozitivisht përparimeve shqiptare dhe përcaktoi një tabelë rruge drejt hapjes së negociatave në qershor 2019. Këshilli theksoi nevojën kritike për Shqipërinë në konsolidimin e mëtejshëm të përparimit në sektorët kyç të reformës në drejtësi dhe luftës ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Ky vendim ishte tërësisht politik; kërkohej unanimiteti mes gjithë anëtarëve të Këshillit për hapjen e negociatave dhe Franca vendosi veton.

Interesant vendimi i vendeve anëtare të BE për të lidhur negociatat shqiptare me ato të Maqedonisë së Veriut: Shqipëria, e cila paraqiti kandidaturën e aderimit në BE në 2009, është konsideruar në pjesë të madhe një dëm anësor i vonesës maqedonase sepse kandidatura e saj u lidh me atë të Shkupit. Domethënia e kësaj lidhjeje është fakti se kandidatura shqiptare ka mundur të ecë para në proces vetëm si e lidhur me maqedonasen.

Në 24 mars 2020 ministrat e Çështjeve evropiane dhanë dakordësinë e tyre politike për hapjen e negociatave të aderimit me Tiranën e Shkupin, duke hapur kështu një spirale për një vend që po e meritonte pa hezitim këtë hap.

Në korrik 2022 BE e Shqipëria mbajtën konferencën e parë ndërqeveritare të hapjes së negociatave për aderimin e vendit në Bashkim. Konferenca shënoi nisjen e një faze vendimtare të procesit të aderimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Nga BE takimet udhëhiqeshin për presidencën çeke nga Ministri i Jashtëm Per Lipavský, me pjesëmarrjen e Përfaqësuesit të Lartë e zv/presidentit të Komisionit Evropian Josep Borrell e Komisarit për Fqinjësinë e Zgjerimin Olivér Várhelyi. Delegacionet e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut udhëhiqeshin nga kryeministrat respektivë Edi Rama e Dimitar Kovačevski.

Gjatë fazës së negociatave gjithë legjislacioni shqiptar do t’i nënshtrohet procesit analitik përcaktuar në të drejtën e BE-së si screening, finalizuar në vlerësimin e përshtatjes së këtij legjislacioni me acquis communautaire, që përbën tërësinë e të drejtave, detyrimeve juridike e objektivave politikë të vendeve anëtare. Acquis është i integruar në sistemet gjyqësore të vendeve anëtare të BE-së. Ai evoluon në mënyrë të përhershme dhe përfshin në totalitet: përmbajtjen, parimet e objektivat politike të traktateve të BE-së; çfarëdolloj legjislacioni adoptuar për mundësimin e zbatimit të traktateve e jurisprudencën përpunuar nga Gjykata e Drejtësisë së BE-së; deklaratat e rezolutat miratuar nga Bashkimi; masa në kuadrin e politikës së jashtme e të përbashkët të sigurisë dhe që kanë lidhje me drejtësinë e çështjet e brendshme; marrëveshje ndërkombëtare mbyllur nga Bashkimi dhe marrëveshje mes vendeve anëtare në lidhje me aktivitetet e Bashkimit. Vendet kandidate duhet të pranojnë acquis për të mundësuar aderimin e tyre në Bashkim. Ai duhet integruar nga vendet kandidate në sistemin juridik kombëtar qysh prej datës së aderimit në Bashkim për të nisur zbatimin nga ajo datë.

Screening i mundëson vendeve kandidate familjarizimin me ligjet e standardet e BE-së dhe detyrimet që ato sjellin. Ai përbën fazën e parë të procesit fillestar të negociatave. Përmban dy faza: një sesion shpjegues, ku nga Komisioni ilustrohet kapitull për kapitull acquis; sesionin bilateral, ku secili vend kandidat ftohet të paraqesë shkallën e tij të përparimit, kapitull për kapitull, në përgatitjet për adoptimin e zbatimin e acquis.

Screening parashikohet të mbyllet brenda 2023-shit.

Ritmi i përparimit të negociatave përbën një varësi të drejtpërdrejtë të shpejtësisë së reformave dhe përshtatjes me ligjet e BE-së brenda çdo vendi. Zgjatja e negociatave ndryshon në bazë të këtyre proceseve. Negociatat mbi secilin kapitull nuk mbyllen derisa të gjitha qeveritë e BE-së ta quajnë veten të kënaqur me përparimin e kryer nga secili vend kandidat në atë sektor politik, sipas analizës së Komisionit Evropian. Gjithë procesi negociues konsiderohet i mbyllur përfundimisht vetëm pas mbylljes së çdo kapitulli.

Traktati i aderimit përbën dokumentin që sanksionon aderimin e vendit në BE. Përmban termat e kushtet e detajuara të aderimit, gjithë marrëveshjet e përkohshme e afatet, si edhe detajet e marrëveshjeve financiare e klauzolat eventuale të tutelimit financiar. Traktati nuk quhet përfundimtar e detyrues për palët deri në çastin kur merr mbështetjen e Këshillit të Bashkimit Evropian, të Komisionit e Parlamentit Evropian, nënshkruhet nga vendi kandidat dhe përfaqësuesit e gjithë vendeve anëtare të BE-së, ratifikohet nga vendi kandidat e çdo vend anëtar i BE-së sipas normave kushtetuese respektive (votim parlamentar, referendum, etj.).

Siç kemi mundur të vërejmë, bëhet fjalë për një proces të gjatë e delikat. Në këtë çast aderimi duket më i lehtë për Shqipërinë sesa për Maqedoninë e Veriut (që duhet të ndryshojë Kushtetutën për të hequr veton bullgare). Përshtypja që po jep Tirana është se arrin të implementojë shpejt disa nga reformat e nevojshme. Megjithëse nisur me vonesë në procesin e aderimit në BE, reformat themelore në sistemin gjyqësor, mesazhi i qartë i udhëheqësit të saj mbi vlerën e aderimit në BE dhe mbështetja dërrmuese popullore në këtë angazhim i kanë dhënë Tiranës një terren unik në rajon për vazhdimin e rrugëtimit të saj në bllokun evropian.

(Përkthyer nga italishtja në shqip nga Gjergji Kajana, artikulli origjinal është botuar në të përditshmen italiane “Il Rifomista”.)

*Lindur në Trento, diplomuar në Shkenca Politike në Universitetin e Insbruck-ut, Federica Woelk ka në CV akademike dy mastera në Studime Evropiane (në Freie Universität Berlin dhe College of Europe Natolin), një specializim në Histori evropiane dhe një tezë diplome mbi krimet e luftës e mbartjen e kujtesës historike në Gjermani e Bosnje Hercegovinë. Për të përditshmen italiane “Il Riformista” kuron aktualisht një rubrikë artikujsh mbi procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkan.