Greqia ka publikuar sot në fletoren zyrtare dekretin e Presidentit për zgjerimin me 12 milje të kufirit detar në detin Jon. Në fletore thuhet se prej ditës së sotme ky vendim hyn në fuqi.
Në vendim thuhet se, dekreti është mbështetur në Konventën e OKB-së për Ligjin e Detit të vitit 1982. Në këtë mënyrë Greqia e konsideron këtë një të drejt të saj bazuar në Konventën e OKB-së.
“Dekreti Presidencial përputhet me zbatimin e ratifikimin e Konventës së OKB-së të vitit 1982 mbi Ligjin e Detit. Ky dekret përbën një hap të domosdoshëm për procesin e zgjerimit të zonës bregdetare të vendit në rajonin përkatës, akt i cili, sipas Konventës, është një e drejtë e padiskutueshme e vendit. Dekreti i Presidentit thekson se Greqia rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtat e saj përkatëse në rajonet e tjera të territorit të saj, siç ato rrjedhojnë nga Konventa për Ligjin e Detit, që pasqyron të drejtën tipike ndërkombëtare. Greqia e përkushtuar në mbrojtjen e të Drejtës Ndërkombëtare, përfshi Ligjin e Detit, vepron në mënyrë rigoroze në përputhje me ligjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.
Konventa e OKB-së së vitit 1982 e njohur si Konventa për Ligjin e Detit, përcakton të drejtat dhe përgjegjësitë e kombeve në përdorimin e oqeaneve të botës, u miratua fillimit nga 160 vende. E njohur ndryshe si UNCLOS, kjo konventë është në fuqi që prej vitit 1994 dhe njihet si “kushtetuta e oqeaneve”.
Partia Demokratike ka reaguar pas miratimit të dekretit nga Greqia, e cila vendosi të zgjerohej me 12 milje në Detin Jon, nga pjesa veriore e ishujve deri në kepin Tainaro. Selia blu thotë se qeveria “Rama” nuk ka bërë transparencë se çfarë negociatash ka zhvilluar me palën greke mbi këtë çështje, aq shumë të diskutuar dhe debatuar në opinionin publik shqiptar.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka reaguar një ditë më parë lidhur me dekretin e Greqisë duke thënë se, Shqipëria dhe Greqia janë pajtuar për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare lidhur me kufirin detar mes dy vendeve dhe se shtrirja e me 12 milje nuk cenon territorin ujor shqiptar.
Duke e konsideruar hapin e fundit si një të drejtë të Greqisë, Rama iu është përgjigjur kritikave dhe pretendimeve për ‘shitjen’ e detit duke thënë se në shekullin e XXI dhe në mes të Evropës, nuk mund “të shiten dhe as të blihen dete e territore fshehurazi”.